Kupa e Shqipërisë në atletikë, që të martën pasdite u zhvillua në pistën e stadiumit “Loro Boriçi”, ka shkaktuar dhe një problem shumë të madh.
Dëmtimi i Izmir Smajlajt, që u shpall fitues në kërcim së gjati më 7.87 metra dhe u konsiderua dhe atleti më i mirë i aktivitetit, ishte më i rëndë se sa mendohej.
Nga pista e stadiumit “Loro Boriçi” është transportuar me barrelë në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ndërsa një ditë pas aktivitetit, presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli, që është njëkohësisht dhe trajneri i tij ka konfirmuar gjendjen e sportistit. Sipas të gjitha verifikimeve dhe kontrolleve mjekësore Smajlaj ka dëmtim të ligamenteve të gjurit.
Që do të thotë se do t’i duhet kohë e gjatë rekuperimi dhe kthimi në stërvitje normale. Madje ndoshta me këtë dëmtim e ka humbur dhe sezonin, ndërsa atletikën e priste një mori aktivitetesh të rëndësishme ndërkombëtare. Kjo që nga Kampionati Europian dhe Botëror e deri tek Lojërat Mesdhetare në Oran.