Lajm i mirë për Bayernin e Mynihut: Jamal Musiala tashmë është rikuperuar nga një dëmtim në kofshën e majtë, duke u rikthyer i gatshëm për ndeshjen e kësaj të shtune, në transfertë përballë Frankfurtit, për javën e 14-të të Bundesligës.
“Musiala do të jetë në ekip nëse asgjë nuk ndodh në stërvitje. Nuk do të luajë 90 minuta të plota, të shohim nëse do të jetë në formacionin e parë.
Me përjashtim të Matthijs de Ligt dhe Bouna Sarr, të gjithë janë në dispozicion”, tha trajneri i bavarezëve, në konferencën për shtypin para ndeshjes me Eintrachtin.
Mesfushori sulmues gjerman u dëmtua një muaj më parë, në ndeshjen e fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve kundër Galatasaray-t dhe i ka munguar skuadrës gjermane në tri ndeshjet e fundit.