Rezultatet e fundit dhe situata e vështirë që po kalon Dinamo ka bërë që skuadra të jetë nervoze jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj. Këtë e tregon më së miri incidenti i ndodhur pas ndeshjes me Kukësin, ku mesfushori Sabien Lilaj, i njohur për një karakter të qetë, është kapur me tifozët blu. Një veprim i gabuar i tij, që klubi nuk e ka toleruar aspak, por ka marrë menjëherë masa, duke e gjobitur.

Lilaj kërkon ndjesë, ndërsa sqaron ekskluzivisht episodin pas ndeshjes me Kukësin. I kontaktuar dje në lidhje me këtë incident, mesfushori tregoi çfarë ndodhi në stadiumin e Kamzës.

“Ishte një moment, kur një person po më shante nga familja dhe unë reagova vetëm ndaj këtij personi, i cili i kaloi limitet. Kjo është e gjitha dhe kërkoj ndjesë, pasi tifozët janë shumë të rëndësishëm për skuadrën dhe besoj do të na ndihmojnë për të kaluar këtë moment delikat të Dinamos”, u shpreh futbollisti i ardhur gjatë merkatos së dimrit te blutë. Kujtojmë që ai luajti në pjesën e dytë të ndeshjes me Kukësin./PANORAMA-SPORT/