Besëlidhja u shpall kampione e basketbollit të meshkujve këtë sezon, një titull plotësisht i merituar. I fitoi të gjitha ndeshjet, duke mos humbur asnjë dhe kjo dëshmon superioritetin e këtij ekipi, pothuajse i pandalshëm. Në këtë sukses kanë meritë të gjithë lojtarët, e veçmas dhe Julian Hamati, i cili u zgjodh në fund të garës si lojtari më i mirë i sezonit, një vlerësim që lidhet me kontributin e tij në fushë dhe statistikat që regjistroi gjatë sezonit që mbyllëm.

Padyshim që prezenca e tij edhe në Kombëtare rrit cilësinë dhe e bën ekipin të ketë shpresë për rezultate pozitive. Në intervistën e mëposhtme, Hamati jep mendimin e tij për sezonin, për arritjet e Besëlidhjes, për arritjet individuale por edhe planet për të ardhmen. I thjeshtë, racional në të shprehur, por edhe me një modesti për t’u admiruar, ai duket qartë se është lojtari që do ta donte çdo ekip.

“Unë thjesht u përpoqa të bëj maksimumin në çdo ndeshje, që të tregoj vlerat e mia, të jemi në harmoni me grupin, e sa i takon vlerësimit si më i miri duhet thënë se janë vlerësime që vijnë në karrierën e një sportisti gjatë rrugës, natyrshëm, por nuk ishte vetëm meritë e imja. Patjetër që mua më ka ndihmuar gjithë ekipi, të gjithë kanë bërë maksimumin e tyre”- eshte shprehur per mediat Hamati.

Nderkohe i pyetur per suksesin e Beselidhjes, ai ka shtuar: “Duke parë edhe rezultatet që kemi arritur, më duhet të them se ishte një sezon shumë i mirë. Kemi punuar fort për të arritur në këto nivele dhe për të fituar titullin. Natyrisht merita është e të gjithëve, përmbyllëm me sukses objektivat tona dhe kjo është e rëndësishme për ne lojtarët, stafin dhe klubin në tërësi.

Niveli këtë vit ka qenë më i dobët se vitet e tjera, duke pasur parasysh se këtë sezon kishte ndryshuar formati, ku ishin bashkuar dy kategoritë, për tu bërë një kategori. Disa klube nuk kanë buxhet mjaftueshëm, as nuk i afrohen buxhetit që kanë disa klube cilësore të elitës. Pra gara kishte një nivel më të dobët se vitet e shkuara. Por, gjithsesi, ajo që ishte në dorën tonë ne e bëmë më së miri dhe kjo ka rëndësi, pasi konkretizuam objektivin tonë, duke fituar titullin”.

I pyetur per ofertat dhe te ardhmen e tij, lojtari i Beselidhjes eshte shprehur: “Kam pasur interesim nga jashtë, por për momentin vijoj të jem i fokusuar tek Besëlidhja, sepse projekti është shumë serioz, dhe ajo që duam të bëjmë është ajo që në të vërtetë mua më pëlqen. Jo me kot kemi firmosur kontrata trevjeçare.

Planet në aspektin individual për mua janë në vend të dytë. Basketbolli është sport ekipor, punohet e luftohet në grup për të arritur sukses. Një i vetëm nuk e arrin suksesin. Në këtë kuadër, mendoj se prioritar është projekti i klubit dhe grupi, pra skuadra. Ndaj objektiv mbetet të realizohet titulli dhe të fitojmë me Besëlidhjen të gjithë trofetë. Një sukses i grupit sjell edhe suksese individuale”./www.shkodrasport.com/