
Shkodranët Bekim Bala, Gilman Lika dhe Ndriçim Shtubina janë futbollistët që Vllaznia kërkon që t’i rikthejë me ngulm. Dy lojtarët që luajnë me Tiranën që në janar kanë lënë një pistë të hapur, teksa bisedimet vazhduan gjatë. Por, gjithçka ndryshoi në momentet e fundit. Ndërkohë që Shtubina, pasi është konfirmuar si një ndër të larguarit nga Vlora dhe ka shpallur “divorcin” me këtë klub, me shumë mundësi do të vijë në Shkodër. Mësohet se klubi po insiston fillimisht te shkodranët, duke u listuar kështu si më të preferuarit në kampin kuqeblu. Lojtarë si Vrapi, Bicaj, Biskup, apo Bratiç synohen, paçka sesa mund të realizohen këto tratativa. Gjithsesi, deri në këto momente, nuk ka asgjë zyrtare dhe sigurisht që do të jetë tekniku i kuqebluve që do konfirmojë zyrtarisht preferencat e tij për të ndërtuar një skuadër pretendente për sezonin e ardhshëm futbollistik.
Projekti Me afrimin e Shpëtim Duros, duket se në Shkodër kanë filluar të mendojnë zyrtarisht për sezonin e ri. Merkatoja, sigurisht që zë pjesën kryesore dhe siç dihet emra janë lakuar plot. Të gjithë këta futbollistë thuhet se janë kontaktuar edhe nga trajneri i sapoemëruar, duke u cilësuar kështu si të preferuarit e tij. Gjithsesi, për momentin gjithçka mbetet në kuadrin e dëshirës, pasi konkretizimet do të bëhen më vonë. Duke bërë një përllogaritje të thjeshtë, bazuar tek emrat e përmendur si përforcime, duket se shkodranët synojnë të bëjnë “pazar” në Korçë. Lojtarë, të cilët vetë Duro i ka stërvitur gjatë kohës kur ka qenë në krye të Skënderbeut. Por, që të bëhen lëvizjet e para, fillimisht pritet që Shpëtim Duro të hedhë firmën e tij mbi kontratë. Me zyrtarizmin e tij pritet që të marrin jetë transferimet e para. Kryebashkiaku Luka ka premtuar një Vllazni pretendente, por çdo gjë mbetet për t’u parë.
Admir Uruçi