Ndeshja e pasdites së sotme në mes Shënkollit dhe Vllaznisë duhej të ishte luajtur pa tifozë për shkak të dënimit të fushës së Shënkollit nga ana e Komisionit të Disiplinës. Por në fakt, tifozët nuk kanë munguar në këtë ndeshje.

Në anën veriore të fushës ishte shumë pranë një ndërtesë njëkatëshe dhe në çatinë e saj kishin hipur rreth 50 tifozë. Por jo vetë ata kanë qenë duke mbështetur ekipin e Shënkollit.

Fotoja e këtij shkrimi e tregon më së miri këtë gjë por edhe rrezikshmërinë e madhe që krijonte kjo gjë.Në anën jugore, pas porte ishin të vendosura disa pemë dekorative dhe po ashtu edhe aty kishte tifozë.

Gjithsesi, ata nuk kanë qenë të vetmit. Tribuna qendrore ka qenë e tejmbushur me tifozë, ndonëse sipas rregullores nuk duhej të kishte më shumë se 20 persona, nga 10 për secilin ekip. Por nuk ka ndodhur kështu.

Drejtuesit e Vllaznisë mezi kanë gjetur vend për t’u ulur. Diçka jo e logjikshme megjithatë e lejuar nga përfaqësuesit e Federatës.

Tifozët e Shënkollit kishin një dëshirë të madhe për të mbështetur ekipin e tyre por edhe për të parë Vllazninë, këtë skuadër me shumë emër të futbollit shqiptar.
© shkodrasport.com