Dinamo kishte piketuar kompleksin e Pezë-Helmësit si selinë e saj të re, por ky plan duket se ka rënë poshtë. Mbyllja zyrtare e marrëveshjes për blerjen e këtij kompleksi u shty disa herë, pasi bankat që do të financonin këtë investim madhor të klubit blu kërkuan kohë për verifikimin dhe plotësimin e gjithë dokumentacionit të nevojshëm.
Dhe këtu duket se ka ngecur puna, teksa bankat kanë evidentuar problematika të ndryshme. Në këto kushte, presidenti Adrian Bardhi dhe stafi i tij kanë lëvizur për të parë mundësi të tjera për shtëpinë e re të Dinamos, ku nga streha e saj pritet të nisë edhe ringjallja e klubit, duke krijuar edhe një akademi funksionale.
ARBANA – Gazeta mëson se blutë do të zhvendosen në kompleksin stërvitor të Arbanës, ku janë stërvitur gjatë periudhës që ishin në Kategorinë e Parë.
Për momentin Dinamo po stërvitet në kompleksin “Football Republic” të ish-kapitenit të saj, Redi Jupi. Shumë shpejt, sipas presidentit Bardhi, do të firmoset një akord me kompleksin e Arbanës dhe bëhet fjalë për një marrëveshje 10-vjeçare.
“Po, Dinamo do të shkojë në fushat stërvitore të Arbanës, që ne duam t’i kemi në përdorim për 10 vitet e ardhshme.Varianti i Pezë-Helmësit nuk u bë i mundur për shkak të disa problemeve me dokumentet që hasën bankat.
Unë jam një njeri dhe një biznesmen i pastër, që operoj nëpërmjet bankave. Çdo gjë në investimet e mia është transparente dhe kështu do të jetë gjithmonë edhe te Dinamo.
E kam thënë gjithmonë, duam të bëjmë më të mirën për këtë klub, për ta ngritur në nivelin që presin të gjithë”, u shpreh për “Panorama Sport” presidenti i bluve, Adrian Bardhi. Kjo do të thotë se rindërtimi i skuadrës do të fillojë nga Arbana.Dinamo, siç ka pohuar vetë numri një i klubit, do të bëhet nga e para për shkak të gabimeve që janë bërë në sezonin aktual.