Mundja në Shkodër ka qenë gjithnjë në nivele të larta dhe kohë më parë u bënë edhe disa vlerësime për më të mirët e mundjes, si atë të lirë, por edhe atë klasike. Tek kjo e fundit, “trajner i shekullit” u vlerësua një emër i njohur, Bajram Agovi.

Në një intervistë ekskluzive për “Shkodra Sport” vetë ai rrëfen se një vlerësim i tillë është kënaqësia më e madhe e jetës së tij sportive.

“Të vlerësohesh si trajner i shekullit është një kënaqësi e jashtëzakonshme që më është dhënë ajo mundësi të jem trajner i mundjes së Vllaznisë e me rezultatet e larta që kemi pasë. Ky është gëzimi më i madh i jetës time sportive”- thotë ai fillimisht.

40 vjet pranë mundjes, fillimisht si sportist, më pas si arbitër, për të vazhduar si trajner ku ka sukseset më të mëdha, e për ta mbyllur sërish si arbitër.

I pyetur se çfarë është Vllaznia për të, Bajram Agovi do të shprehej: “Për mua fjala Vllazni, atëherë edhe sot, është diçka e shenjtë. është një ekip i jashtëzakonshëm, është një dëshirë e madhe shpirtërore. Ose është zemra jonë me të dhe ajo është në zemrën tonë”.
Gjergj KOLA