Nga Endri ÇINARI

Kampionati U19 i futbollit në vendin tonë po zhvillohet goxha rivalizues këtë sezon. Disa skuadra si: Partizani, Vllaznia, Bylis apo edhe Laçi kanë pretendime për fitimin e kampionatit. Dhe deri në këto momente gara është thuajse e barabartë mes këtyre ekipeve.

Po ashtu ky kampionat po zbulon disa elementë interesantë, që mund të jenë një e ardhme e futbollit tonë. Një prej tyre është Ensar Tafili, mesfushori i skuadrës së Partizanit. I rritur tek akademia Vllaznia, djaloshi shkodran tashmë është pjesë e “demave të kuq”. Ku paraqitjet e tij kanë qenë vërtetë për tu dalluar në këtë edicion.

Pavarësisht në rolin e mesfushorit, Tafili ka ditur ta gjejë rrugën e rrjetës. Deri më tani në kampionat ai ka shënuar 6 gola, duke qenë kështu golashënuesi më i mirë për momentin tek U19. Një tjetër lojtar i talentuar që vjen nga Shkodra, por që aktivizohet me ekipin e Partizanit në kryeqytet.

Në listën e golashënuesve më të mirë të kampionatit nuk ngelin pas as futbollistët e Vllaznisë. Ku treshja kryesore e skuadrës, Dodaj-Zaganjori-Halili kanë secili të shënuar nga 4 gola. Dhe gara jo vetëm për kampionatin, por edhe golashënuesin më të mirë duket se do jetë interesante deri në fundin e tij.