Neymar po kalon një nga momentet më të komplikuara te PSG për shkak të dëmtimeve dhe marrëdhënies së tij me tifozët, gjë që është vënë në provë nga disa prej qëndrimeve të sulmuesit brazilian kohët e fundit.

Nisur nga situata, ish-futbollisti francez Emmanuel Petit, kampion bote me transalpinët, e këshilloi 222-milionëshin të largohej nga klubi parizien. “Neymar, largohu! Vepro si Messi, largohu! Mos rri në Francë dhe Paris!

Unë e kam mbrojtur gjithmonë atë, akoma më shumë në javët e fundit, veçanërisht me turmën e egërsuar të tifozëve që u shfaq në shtëpinë e tij, duke e fyer dhe kërkuar të largohej”, – tha ish-mesfushori, fitues i Kupës së Botës më 1998 dhe Kampionatit Europian më 2000.

“Akumulimi i gjërave që kanë ndodhur brenda dhe jashtë fushës ka shkuar shumë më tej për sa i përket agresionit dhe gjërave që janë thënë për të. E vendos veten në vendin e Neymar, por nuk do të qëndroja kurrë në atë klub, – shtoi Petit. – Jam i bindur se Neymar nuk dëshiron të qëndrojë më në Paris. Mendoj se kjo do të ishte një gjë e mirë edhe për PSG. Për të mirën e të dyja palëve, historia duhet të përfundojë tani”./telesport/