UEFA e ka kuptuar se ultimatumet që ka vendosur për datën 25 maj, kur kampionatet e ndryshme duhet t’i dorëzojnë planet se çfarë do të bëjnë me ndeshjet e mbetura të sezonit, nuk do të bëjnë punë.

Sipas mediave italiane, institucioni ndërkombëtar ka vendosur që të shtyjë këtë afat që skadon shumë shpejt pa zgjidhur shumë nga telashet e futbollit kontinental. Edhe pse parimisht shumë vende janë dakord për të rifilluar aktivitetet, janë në varësi të plotë të evolucionit të pandemisë dhe qeverive, të cilat nuk u kanë hapur ende dritën jeshile.

Kur UEFA po përballet me një vështirësi të tillë nga vende si Italia, Spanja e Anglia, është e qartë se vende shumë më të vogla e më me pak peshë kanë probleme edhe më të mëdha për t’u kthyer në normalitetin e jetës futbollistike.

Si rrjedhojë, data 25 maj pritet të shtyhet dhe sinjali i qartë vjen nga mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. I parashikuar të zhvillohej me datë 27 për të përcaktuar kalendarin e aktiviteteve europiane, pasi të kishte një bilanc të qartë të ecurisë së ligave, Ekzekutivi është shtyrë për t’u zhvilluar rreth gjysmës së muajit qershor, qartëisht për t’i dhënë më shumë kohë federatave për të marrë vendime e për të modifikuar kalendarët e tyre.

Kjo do të thotë se UEFA është gati të bëjë lëshime të tjera edhe sa i përket kohëzgjatjes së sezonit, duke e shtyrë përtej atyre afateve që janë trumbetuar deri tani, edhe në vendin tone, e duke bërë të mundur që ndeshjet e kampionateve që duan të mbyllen medoemos, të shtyhen edhe në muajin gusht. /vipsport/