Në dy ditët e qëndrimit në Shkodër, e ka ndjekur Vllazninë në stërvitje të enjten ndërkohë që dje ka udhëtuar drejt Velipojës për ta ndjekur atë edhe në ndeshjen miqësore ndaj Adës. Armando Vajushi nuk mundet dot të qëndrojë larg Shkodrës dhe Vllaznisë. Megjithatë, ajo që e ka dëshpëruar më tepër atë, ka qenë paraqitja e kuqebluve në ndeshjen ndaj Adës. “Ishte turp të shihje atë Vllazni. Në fakt, unë nuk po e kuptoja mirë nëse ishte Vllaznia apo ndonjë ekip serb a malazez se nuk po shihja shumë shkodranë në skuadër”-ka thënë ndër të tjera në intervistën e mbrëmshme për “shkodrasport.com” sulmuesi shkodran Armando Vajushi. Ja intervista e tij:

 -Armando, dy ditë pushim dhe menjëherë në Shkodër, menjëherë pranë Vllaznisë. Kaq I lidhur jeni me to?

-Shumë. Jam rritur në këtë qytet dhe po ashtu jam rritur me Vllazninë dhe nuk mund të heq dorë kollaj prej tyre. Meqë kisha 3 ditë pushim, erdha në Shkodër për të takuar familjen time por edhe shokët e skuadrës për të cilët më kishte marrë malli jo pak.

-Si ndjeheni tek Liteksi pas një muaji e gjysëm që jeni pjesë e tij?

-Ndjehem mirë. Drejtuesit e klubit, trajneri dhe shokët e skuadrës më respektojnë dhe kuptohet kjo më ka ndihmuar të përshtatem më shpejt. Nuk mendoj se ka ndonjë ndryshim më të madh mes Liteksit dhe Vllaznisë. Thjesht skuadra bullgare ka kushte më të mira dhe kaq.

-Keni luajtur në të gjitha ndeshjet miqësore. Kjo tregon se do jeni pjesë e formacionit edhe kur të nisë kampionati?

-Besoj se po. Kam luajtur në të gjitha ndeshjet dhe trajneri Stoiçkov më ka vlerësuar. Sigurisht që e mendoj veten në formacion pasi të nisin ndeshjet e kampionatit më 3 mars dhe shpresoj të paraqitem sa më mirë.

Trajneri ju ka aktivizuar në rolin e mesfushorit të majtë. Ka ndonjë problem për ju?

-Aspak. Unë mund të luaj pa problem në disa pozicione dhe mundohem që kudo të bëj më të mirën. E rëndësishme është të luaj.

-Të kthehemi tek Vllaznia. Cila është përshtypja juaj për të pas ndeshjes miqësore që keni parë kundër Adës?

-Kisha një muaj e gjysëm pa e parë Vllazninë dhe të them të drejtën në pamje të parë, nuk po arrija të kuptoja a është Vllaznia apo ndonjë skuadër tjetër. Kjo sepse pashë shumë pak shkodranë në të dhe më shumë më ngjasonte me një skuadër serbe apo malazeze. Ishin nja 6 futbollistë malazezë në fushë, nja 3 a 4 të tjerë të huaj në stol dhe nuk po kuptoja asgjë se çfarë po ndodhte. Mbeta I zhgënjyer.

-Nga numri I shumtë I të huajve apo nga loja që Vllaznia bëri në fushë?

-Nga të dyja por sidomos nga kjo e fundit. Sepse nëse janë shumë të huaj por ata bëjnë diferencën, e justifikon blerjen e tyre. Por ata që kishin ardhë tek Vllaznia kohët e fundit mu dukën qesharakë. Dhe për këtë fajësoj vetëm trajnerin. Ishte e pafalshme që në 45 minutat e pjesës së parë, Vllaznia nuk e ka goditur asnjëherë portën e Adës, një skuadër kjo e kategorisë së parë. Në të dytën vetëm një apo dy herë. Kjo është një turp. Një Vllazni skandaloze.

-Duke parë që Vllaznia nuk po shënonte, ju erdhi dëshira të futeshit vetë në fushë dhe ta shënonit sërish një gol për skuadrën tuaj të zemrës?

– (Qesh) Njëherë desha të hyja në fushë por më pas mendova se do dëmtohesha dhe kjo do më kushtonte rëndë. Por sinqerisht që u zhgënjeva nga Vllaznia që pashë.

-Në faqe të ndryshme interneti, jeni shumë aktiv me deklaratat tuaja për një kthim sërish në Shkodër. Vërtetë dëshironi të ktheheni?

-Dëshira është e madhe sepse më mirë se tek Vllaznia, tek tifozët e saj nuk ndihem askund tjetër. Kuptohet që kam prioritet të luaj mirë me Liteksin dhe të bëj përpara në karrierën time, por ideja “Vllazni” më ngacmon gjithmonë.

-Që do të thotë se nëse Vllaznia ndërton një ekip pretendent për sezonin e ardhshëm, duhet të ju llogarisin edhe ju si pjesë të saj?

-Pse jo. Nëse do shoh se drejtuesit e klubit kanë pretendime serioze për të ndërtuar një ekip të madh, unë mund të vij. Mund të lë Liteksin dhe të heq dorë nga një karrierë e suksesshme jashtë vendit, për Vllazninë time sepse ajo meriton shumë më tepër nga sa po jep tani.

Gjergj KOLA