Dita e sotme ka qenë e veçantë për Valdano Nimanin. Ai ka drejtuar një ekip futbolli të moshave për të parën herë në postin e trajnerit. E ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme duke fituar këtë ndeshje të parë ndaj ekipit Atletik.

Ish- futbollisti i njohur i Vllaznisë, Laçit, Kamzës etj, vendosi t’i japë fund futbollit të luajtur pak kohë më parë pas një dëmtimi të rëndë që pësoi dhe menjëherë nisi punë si trajner duke marrë drejtimin e ekipit “Djelmnia shkodrane U11”. Duke folur në lidhje me këtë “detyrë” të re të tij, ai është shprehur kështu për “Shkodra Sport”:

“Tani si trajner është një emocion ndryshe por unë shpresoj që në të ardhmen të arrij të nivele të larta siç kam qenë si futbollist, por tashmë në drejtim. Aktualisht kam marrë drejtimin e ekipit U11 të Akademisë “Djelmnia shkodrane”.

Ndërkohë i pyetur në lidhje me atë se çfarë po tenton t’u transmetojë futbollistëve të tij, Nimani shprehet:

“Objektivi im është që të arrijë të fusë tek këta futbollistë mendësinë e të luajtur bukur futboll dhe të edukatës sportive. Nëse e mësojnë mirë këtë gjë që në këtë moshë, ata do ta kenë më të lehtë pastaj të kur të kalojnë me ekipet U13, U15, U17 etj, në mënyrë që trajnerët e tjerë që do të punojnë me to, t’i kenë të gatshëm me edukatë sportive dhe me lojë të bukur.

Tek mosha 11 vjeçare që unë drejtoj, rezultati nuk ka aspak rëndësi, por që këta fëmijë të mësojnë të luajnë futboll. Unë atyre nuk u kërkoj rezultat, por më shumë lojë, qarkullim topi e të luajnë bukur, pastaj rezultati është në plan të dytë”.
© shkodrasport.com