Flamurtari po ringrihet. Kjo më shumë se këdo tjetër kënaq ata që kanë bërë historinë me këtë fanellë. Një prej tyre, është edhe Vasil Ruci. Ish-futbollisti i shquar vlonjat, në një prononcim për “Panorama Sport”, e vlerëson shumë pozitive ecurinë e deritanishme të skuadrës.

Ai mendon se drejtuesit kanë bërë një punë vërtetë të mirë, duke ndërtuar një grup cilësor dhe në këtë ritëm nuk kanë për ta diskutuar misionin final.

“Flamurtari po ecën shumë mirë. Ka një ecuri pozitive deri tani. Janë luajtur vetëm 10 javë, por statistikat i kanë në favor. Jo vetëm kaq, por kanë ndërtuar një grup cilësor. E thënë troç, janë në rrugë të mbarë për të realizuar objektivat sezonalë.

Ne si lojtarë që kemi dhënë për Flamurtarin, na vjen mirë. Duam që ta shohim lart e më lart. Më bëhet qejfi që ka pasur rezultate dhe janë në krye të tabelës. Unë nuk dua asgjë tjetër, veçse të shoh që skuadra të shkojë aty ku e ka vendin. Dhe dihet se ku, mes skuadrave më të mira të kampionatit shqiptar”, shprehet fillimisht 64-vjeçari, që karrierën e tij në fushë ia ka dedikuar Flamurtarit.

RIVALITETI PËR KREUN

Për shkak të skuadrave që bëjnë pjesë në Kategorinë e Parë, Ruci e cilëson si një kampionat të fortë, por njëkohësisht të bukur. Sipas legjendës së futbollit vlonjat, kuqezinjtë kanë rival vetëm veten e tyre. “Mendoj se ky Flamurtar nuk ka rivalë. Është një skuadër që besoj se ka rivale vetëm veten e saj. Kështu që mund të them se ky ekip deri në fund do të vazhdojë të jetë në rivalitet me veten e vet dhe askënd tjetër.

Dua të them se po shohim një skuadër të kompletuar dhe lojtarët po shfaqen mirën potencialisht. Por ka edhe një ndërthurje shumë të mirë të grupit. Normalisht që çdo kampionat ka vështirësitë e veta. Është edhe kampionat i bukur njëkohësisht, me emrat që ka në përbërje si Flamurtari, Dinamo apo Skënderbeu. Por ky Flamurtar që është ndërtuar bukur do të dijë t’ia dalë dhe e shoh në rrugë të mbarë. Uroj shumë që të realizojë objektivin që ka dhe shumë shpejt ta shohim në Superiore”, thotë Ruci.

SUPERIORJA PA FLAMURTARIN

Për Vasil Rucin, Superiorja nuk ka fare bukuri pa Flamurtarin. Ai shprehet edhe me batutë, duke e cilësuar kampionatin elitar si një manastir pa murgj. “Superioren aktualisht, me mungesën e Flamurtarit, e shikoj si një manastir pa murgj. Besoj se me këtë i kam thënë të gjitha”. Por çfarë është Flamurtari për Vasil Rucin:

“Njerëzit besojnë diku. Kur ky besim bëhet absolut në vete fillon dhe i dedikohesh vetëm asaj që beson. Ka njerëz që besojnë në fe dhe ia dedikojnë asaj jetën e përfundojnë edhe murgj e murgesha. Ne jemi murgjit e një manastiri që quhet Flamurtar. Nuk i ndahemi dot”, përfundon Ruci.