Opinion nga Senad NIKSHIQI

¨Do të sjell në Shkodër futbollin tradicional. Shkodra ka talente, djem të rinj, futbollistë shkodran që mund t’i japin shumë skuadrës së Vllaznisë¨. Me këto fjalë na u pat prezantuar trajneri aktual i Vllaznisë Rudi Vata. Menjëherë kur Vata ishte shumë pranë firmosjes me Vllazninë për të marrë këtë rol që ka sot, i gjithë opinioni sportiv i dha një mbështetje të madhe atij për vetë eksperiencën e padiskutueshme si një ish-futbollist shumë i mirë. Edhe pse nën zë, kishte nga ata që dyshonin tek roli i trajnerit duke qenë se për të parën herë, Vata ulej si timonier i një ekipi.

Duke tejkaluar periudhen e atëhershme e deri tani unë dhe të gjithë ju po shohim se Vata nuk po i qëndron fjalëve të tij. Përveçse akoma Vllaznia nuk na ka dhuruar futbollin tradicional të saj, atë lojën e bukur sulmuese, realizimin e shumë golave apo edhe qëndrimin mes ekipeve më të mira, në skuadër po largohen futbollistët shkodran e po na vijnë të tjerë që ju siguroj nuk do të kenë jetëgjatësi më të madhe se 2-3 muaj. Ashtu si më parë do të mbartin vetëm bujën se ky ka luajtur me atë ekip apo ky tjetri me atë skuadër, kam besimin e plote se vijojnë të mbeten vetëm fjalë. Këtu përgjegjësi kryesor padyshim është trajneri Vata. Padashur ta quaj tradhëtar të fjalëve të tij në prezantimin si trajner i Vllaznisë, ai po mban një qëndrim kontravers duke qënë në kundërshtim me vetveten. Ndoshta sot Sukaj do të kishte qenë sërish pjesë e Vllaznisë nëse me të do të kishte patur një mënyrë sjellje tjetër. Sukaj njihet tashmë për një kokëfortësi të lindur dhe si një tip rebel edhe në fushën e lojës. Jo të gjithë janë njësoj, kjo ndodh edhe me futbollistët. Madje po të shohim një pjesë e futbollistëve më të mirë të botës kanë natyrë rebele. Ju përmend Maradonën, Romarion e famshëm të Barcelonës, Ronaldon e sotëm të Real Madridit, Rooney të Manchester United apo edhe Balotelin e Manchester City. Nëse s’do të kishin patur atë natyrë ndoshta s’do të na kishin dhuruar lojërat e tyre të mahnitshme. E tillë mbetet situata edhe me Sukaj, falë rebelimit të tij është një nga sulmuesit më të mirë shqiptar. Dua të them që duhej të ishte gjetur bashkëpunimi me të sepse psh ai nuk ka eksperiencën e Vatës apo të ndonjë tjetri në skuadër. Pas Sukaj vjen largimi edhe i Vajushit. Përveç anës monetare, shkodrani i talentuar duke parë se në Shkodër s’ka asgjë ka preferuar të largohet. Nëse ekipi do kishte qenë vërtetë pretendent do kishte qëndruar siç bëri një sezon më parë edhe se kishtë një lumë ofertash gjithandej. Veç këtyre që ikën, Vata po kërkon të largojë edhe Sykaj. Padyshim shkodrani në qendër të mbrojtjes ka qenë një siguri dhe një futbollist cilësor që i duhet Vllaznisë. Mos të harrojmë se është vetëm 21 vjeç sot, pra ka shumë për të dhënë. Nuk e dimë pse nuk e do në ekip, nuk e do se vërtetë nuk bën për Vllazninë, apo Vata kërkon të mbledhë tëk Vllaznia benjaminët e tij nga çdo kontinent i mundshëm në kohën kur i solli në ekipet shqiptare pa qenë trajner por menaxher. Një tjetër që mund t’i japë lamtumirën është Hasani. Edhe ky një futbollist shkodran që ka luajtur me Vllazninë që 17 vjeç kur Josa vinte për të parën herë në Shkodër si trajner. U dëmtua, u rekuperua, patjetër që s’ka formën më të mirë dhe tani të flaket nga ekipi. Besoj nuk është zgjidhja e duhur. është një mesfushor me vizion, ndoshta nga të pakët në mesin e fushës që i përshtatet lojës tradicionale të Vllaznisë, pikërisht asaj që Vata pat thënë kur u prezantua. Ndërkohë që mund të ketë edhe ndonjë tjetër që Vatës ose si pëlqen ose do t’i zëvendësojë me futbollistë të tjerë për të mos humbur reflekset si menaxher. Po largojmë shkodranët por pyetja që shtrohet është se kush po i zëvendëson? – Jabllan, Da Silva, ëashington apo ndonjë tjetër. Këta veçse nuk kanë shpirtin e shkodranit, nuk kanë as ndonjë cilësi shumë më të mirë se Sukaj i larguar apo Sykaj e Hasani që mund t’i japin lamtumirën Vllaznisë. Kjo nuk është aspak një frymë europiane apo profesioniste për mënyrën se si po rrjedhin ngjarjet në ikjen dhe ardhjen e futbollistëve. Vata me të vërtetë që ka besim e plotë të drejtuesve dhe gjithë të tjerëve, por duket se nën petkun e një ish-futbollisti të njohur e me kontribute, po keqpërdor të bërin e merkatos tek Vllaznia. Nëse nuk doni ta quajmë tradhëtar është fakt që ai po i kundërvihet fjalëve të veta. Kjo nuk është aspak pozitive për Vllazninë. Natyrisht që ekipi ka nevojë për përforcime por nuk ka nevojë për shfaqjen e Vatës më shumë si menaxher se sa si trajner. Ajo që dua t’i them Vatës është se ka ende kohë dhe të paktën në këto pak ditë përveçse t’i japë besimin e plotë Sykajt e Hasanit e gjithë të tjerëve që e meritojnë, të shmang gabimet e deritanishme. Vata, e dimë që je një ish-futbollist me kontribute të mëdha më pas një menaxher i suksesshëm në futboll. Tani na trego se di të bësh edhe rolin e trajnerit sepse Shkodra të do, të respekton, ka besim tek aftësitë tuaja ndaj mos na zhgënje sepse Vllaznia jote, ekipi yt që në moshën tënde të hershme nuk e meriton. Si shkodran dhuroji Shkodrës skuadrën që ka përhumbur! Na kthe vlerat e traditat të djepit të futbollit shqiptar !