“Ilir Daja më ndryshoi jetën”, shprehej ndër të tjera në një intervistë të dhënë për mediat kosovare, mesfushori Lindon Emërllahu, pas ndeshjes së parë që Ballkani zhvilloi në shtëpi ndaj Ludogorets dhe që përfundoi me rezultatin 2-0 në favor të kampionëve të Kosovës.

Ndërkohë që së fundmi në adresën e talentit 20-vjeçar ka mbërritur edhe oferta që mund t’i ndryshojë karrierën mesfushorit të Ballkanit. “Gazeta Blic” raporton se Ludogorest ka ofruar 1 milionë euro për kartonin e këtij lojtari. Pasi u përballën në Champions League, ekipi bullgar ka shprehur interesin për të marrë futbollistin e Ballkanit.

Vetëm 20-vjeç dhe një produkt i akademisë së Ballkanit, Emërllahu është një talent tepër premtues, teksa vlera e tij momentale në “Transfermarkt” është 550 mijë euro. Një transferim te gjigantët e Ludogorets, do të ishte një hap i rëndësishëm në karrierën e futbollistit kosovar, si dhe do të mbushte arkat e klubit nga Suhareka.

Vlen të theksohet fakti se Emërllahu debutoi me ekipin e parë të Ballkanit, gjatë kohës që kjo skuadër drejtohej nga korçari Bledi Shkëmbi, i cili i besoi mesfushorit të talentuar edhe pse në moshë shumë të vogël.