Skuadra e Veleçiku ka luajtur sot ndeshjen e Kupës së Shqipërisë ndaj Korabit, ndeshje të cilën e ka humbur dhe si rrjedhojë i ka dhënë fund aventurës së tij në këtë kompeticion pasi ndeshjet e turit 1/32 janë vetëm me një takim.
Takimi në mes këtyre dy skuadrave është luajtur në Pezë- Helmes dhe ka nisur me gol për dibranët. Në minutën e 17-të ka qenë Kuka që ka kaluar në avantazh ekipin e tij. Por koplikasit do të reagonin shpejt dhe do të arrinin të barazonin shifrat.
Në minutën e 27-të ka qenë futbollisti Arsen Banushaj i cili do të shënonte për Veleçiku duke i barazuar shifrat në 1-1 dhe me këtë rezultat do të mbyllej pjesa e parë e kësaj ndeshje duke dhënë premisa për një rezultat pozitiv edhe në pjesën e dytë.
Por në fakt nuk do të ndodhte kështu. Në minutën e 51-të, do të ishte Tepshi që do të shënonte golin e dytë për Korabin dhe kaq do të mjaftonte që në fushë të ishte vetëm kjo skuadër. Çerek ore lojë më vonë do të ishte Goga që do të shënonte edhe golin e tretë.
Megjithatë nuk do të mbyllej këtu sepse do të kishte vend edhe për një gol tjetër të shënuar nga Halilaj dhe në këtë mënyrë i gjithë takimi do të mbyllej me fitoren 4-1 në favor të Korabit. Ky i fundit në turin 1/16 të Kupës do të ndeshet me fituesin e çiftit Pogradeci- Delvina, ndërsa Veleçiku tashmë do të mendojë për kampionatin.(www.shkodrasport.com)