Përpjekjet e drejtuesve të Veleçikut për të plotësuar skuadrën me lojtarë cilësorë vazhdojnë. Pasi kanë marrë portierin Vjerdha dhe mesfushorin-sulmues Markolaj nga Vllaznia, ato kanë bërë të tyrin edhe një tjetër futbollist nga ekipi shkodran.

Bëhet fjalë për mesfushorin Suad Bega. Ky i fundit u stërvit për disa ditë me kuqeblutë por më pas, duke parë se hapësirat aty janë shumë të pakta, ka preferuar të kalojë tek Veleçiku.

Lojtari 24 vjeçar ka qenë një nga pikat më të forta të “Vllaznia B” në sezonin e kaluar dhe pikërisht për këtë, trajneri Duli i koplikasve, duket i kënaqur me afrimin e tij në skuadër.

Por përveç Begës, në ditët e ardhshme priten edhe të tjerë futbollistë nga kuqeblutë dhe sidomos ato për mesfushën dhe sulmin, pika këto ku Veleçiku ka sërish nevojë për lojtarë cilësorë.

Kjo mund te ndodhe ne ditet e ardhshme pasi te jene mbyllur seleksionimet tek Vllaznia. Siç dihet, te dy ekipet luajne ne te njejten kategori ne sezonin e ri, ate te paren.
© shkodrasport.com

Fotoja ilustruese e ketij shkrimi nga Fatlum Kurtaj