Koplikasit nuk ia kanë dalë të sigurojnë edhe fitoren e pestë në ndeshjet e luajtura në “Reshit Rusi” megjithatë ia ka dalë të ndalë Dinamon.

Në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme në Shkodër është vulosur rezultati i barabartë 0-0 ndonëse rastet nuk kanë munguar për të dy ekipet.

Veleçiku ka bërë një ndeshje përgjithësisht të mirë në takimin e sotëm dhe ndonëse pa trajnerin Duli në pankinë, djemtë kanë zbatuar me përpikmëri detyrat e dhëna dhe ndoshta mungesa e fatit, ka bërë që të mos e fitojnë këtë takim.

Takimi ka patur edhe momente tensioni. Nuk kanë munguar kartonat e verdhë për të dy ekipet, madje në minutën e 85-të Hasaj i koplikasve është ndëshkuar edhe me karton të kuq duke e lënë ekipin e tij në minutat e fundit me një futbollist më pak në fushë.

Pavarësisht kësaj, koplikasit ia kanë dalë të barazojnë dhe të marrin një pikë me shumë vlerë në këtë takim, duke bërë që Dinamo të ndalet dhe t’i largohet edhe më shumë pretendimeve të saj për të kapur Vllazninë në krye.