Kategoria e Dytë e futbollit do zhvillojë ditën e nesërme javën e 18-të në Grupin A. Kështu, kalendari ka rezervuar një sfidë të fortë për Veleçikun.
Koplikasit do të luajnë me Ilirinë, në transfertën e Fushë-Krujës dhe kanë një detyrë jo të lehtë, për të dalë me tre pikë. Në fakt, pritet të jetë një përballje interesante mes këtyre dy ekipeve, por koplikasit kanë treguar se mund të fitojnë edhe jashtë fushe dhe me pretendime shkojnë edhe në Fushë-Krujë.
Njëkohësisht, ata presin edhe ndonjë hap fals nga rivalët e tyre, por nga ana tjetër fillimisht duhet të fitojnë ndeshjen e tyre, për të synuar vazhdimësinë e rezultateve pozitive.
Veleçiku do të vuajë edhe mungesat e Bardullës, Ujkajt dhe Hajdarit, në një ndeshje që nuk pritet të jetë e lehtë, pasi përballë do të kenë një kundërshtar të vështirë, megjithatë do tentohet të bëhet maksimumi.
Kujtojmë se, Veleçiku renditet në vendin e tretë në kuotën e 38 pikëve, teksa këtë sezon kanë arritur të sigurojnë plot 12 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje.
Ndeshja Iliria-Veleçiku, do të luhet ditën e nesërme, në stadiumin “Redi Maloku” të Fushë-Krujës, duke nisur nga ora 14:00.
Maringlen ZHIVANI