Veleçiku është rikthyer tek fitorja në kampionat. Pasditen e sotme ai ka fituar me rezultatin 2-1 ndaj Naftëtarit në ndeshjen e luajtur në fushën sportive të “Kompleksit Duli”.
Në fakt nuk ka qenë një fitore dhe aq e lehtë për koplikasit. Kjo sepse kanë qenë kuçovarët ata të cilët kanë kaluar të parët në avantazh në minutën e 42-të me anë të futbollistit Gjishti, por në minutat shtesë të pjesës së parë ka qenë Jurgen Gjini ai që ka barazua shifrat.
Dhe në këtë mënyrë pjesa e parë e këtij takimi është mbyllur me shifrat 1-1. Në të dytën sërish futbollistët e Veleçikut duken më të vendosur për t’u hedhur në kërkim të golit të avantazhit dhe ia kanë dalë ta shënojnë me anë të futbollistit Arianit Zaraj në minutën e 78-të pas shumë përpjekjesh.
Pas këtij momenti nuk do të kishte raste të tjera për shënim dhe si rrjedhojë i gjithë takimi është mbyllur me fitoren 2-1 në favor të Veleçikut që kësisoj merr një trepikësh me shumë vlerë në fushën e tij.
Me fitoren e sotme skuada e drejtuar nga trajneri Besnik Duli ngjitet në kuotën e 16 pikëve dhe mban vendin e tetë në renditje, por duke qenë vetëm 2 pikë larg vendit të gjashtë që e çon atë në fazën play-off.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


