Kukësi këtë sezon mund ta quajë që tani të dështuar. Një skuadër me emra shumë cilësorë dhe investime gjigante, por në fund pa asnjë trofe. Pasi hoqën dorë nga Kupa ndaj Teutës, u dorëzuan edhe në ndaj Vllaznisë (1-0) dhe humbën edhe ato fije mundësie për të arritur titullin. Tirana tashmë është kampione e Shqipërisë dhe Kukësit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të mundohet të ringrihet.

Ditën e djeshme në “Ora News” ka folur presidenti i verilindorëve, Safet Gjici. Ai nuk e fsheh zhgënjimin e tij dhe fajin më të madh ia hedh trajnerëve. Sipas tij Kukësi nuk duhet të ishte në këtë pozicion tani, por pikët e lëna në fund e kanë ndëshkuar rëndë.

“Nuk e prisja fare këtë rezultat dhe mbas disfatës së madhe që bëmë në Kupë në Durrës, kjo është disfata e dytë për ekipin dhe klubin. Gjithsesi, Shkodra fitoi me meritë. Ekipi i Kukësit nuk ishte fare në fushë. Faji i stafit apo faji i ekipit, nuk e di, por fajin trajneri e ka. Patjetër do ketë një analizë. Klubi do bëjë analizat e veta. Ndoshta u ndie lodhja e Durrësit, sepse sot ekipi ishte shumë i lodhur.

Nuk e prisja këtë rezultat për të thënë të vërtetën. Me ekipin e Vllaznisë, të gjithë djem të rinj, kishin edhe mungesa. Gjithsesi, i uroj suksese Shkodrës, por ekipi i Kukësit nuk e meriton në fakt të jetë në këtë renditje. Duhet të kishte marrë titullin kampion me kohë.

Ndoshta faji është edhe i trajnerit, por edhe skuadra ka pasur problemet e veta, ka humbur shumë ndeshje në minutat e fundit. Tirana ka dalë kampion, padiskutim që suksesi është i Tiranës, vazhdojmë përpara”, u shpreh Gjici. /vipsport/