Ekipi i futbollit të Veleçikut do ta luajë sot ndeshjen e parë të kampionatit të kategorisë së parë. Ai do të udhëtojë drejt Tiranës për t’u ndeshur me Dinamon, një nga ekipet pretendente të grupit A përveç Vllaznisë.

Synimi është nisja e mbarë e kampionatit me një rezultat pozitiv megjithatë duke qenë se është ndeshja e parë, mbetet për t’u parë se si do të sillet skuadra në fushën e lojës.

Arsyeja është e thjeshtë sepse në rradhët e koplikasve ka patur shumë ndryshime kohët e fundit. Drejtuesit e klubit kanë përjashtuar nga skuadra pesë nga lojtarët më të mirë të sezonit të kaluar.

Bëhet fjalë për mbrojtësit Lami e Osmani, mesfushorët Gokaj e Pelinku si dhe sulmuesin Denis Çokaj. Por nëse ka patur largime, ka patur edhe afrime. Pjesë e skuadrës së Veleçikut janë bërë futbollistët Vjerdha, Balaj, Bega, Markolaj, Hasaj e ndonjë tjetër.

E rëndësishme për Veleçikun është një nisje e mbarë e kampionatit duke synuar një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë ndaj Dinamos.

Objektivi i shpallur nga drejtuesit për këtë kampionat është qëndrimi në kategorinë e parë. Kuptohet që kjo nuk do të jetë e lehtë sepse të gjithë e mendojnë Veleçikun si skuadrën më të lehtë dhe këtë mentalitet futbollistët e stafi teknik i kësaj skuadre do të synojë ta thyejë.

www.shkodrasport.com