Të mërkurën e javës së ardhme mbyllet edicioni i Kategorisë Superiore, në të cilën ende nuk janë dhënë verdiktet e fundit dhe presim fërshëllimat përfundimtare të gjithë kësaj ecurie për të mësuar kampionen dhe të rënët në të Parën.

Të gjitha ndeshjet luhen në orën 17:00 dhe sytë shkojnë të gjithë në Shkodër dhe në Durrës. Në “Loro Boriçi” Vllaznia pret Laçin. Shkodranëve i duhet me patjetër fitorja ndaj kurbinasve, por janë të interesuar edhe për një triumf të thellë.

Golavarazhi do të jetë vendimtar në rast se fiton dhe Teuta. Durrsakët aktualisht janë një gol më shumë se shkodranët në diferencën mes rrjetave të shënuara dhe atyre të pësuara dhe Vllaznisë i duhet të paktën të barazojë bilancin me ta.

Teuta luan ndaj Apolonisë në Durrës. Fierakët kanë rënë nga Superiorja këtë sezon dhe duke u nisur nga kjo është një ndeshje e lehtë në letër. Në Ballsh, Partizani luan ndaj Bylisit. Këtyre të fundit u duhet me patjetër fitorja për të shpresuar qëndrimin në Superiore.

Rivalët direkt të ballshiotëve, Kastrioti, sfidon Kukësin në “Elbasan Arena”. Kuksianët janë të dalë nga objektivat, por kanë treguar se nuk lëshojnë lehtë në këto ndeshje të fundit. Ndeshja tjetër luhet në “Selman Stërmasi” mes Tiranës dhe Skënderbeut. /abcnews/