Leonardo Sempliçi është trajneri më i ri i skuadrës së Kaljarit. Pak orë pas shkarkimit të Eusebio Di Françeskos, skuadra sarde emëron si “timonierin” më të ri ish-teknikun e SPAL-it që sot ndërpreu në mënyrë konsensuale marrëdhënien e tij me klubin që militon në Serinë B italiane.

Këtë lajm e ka konfirmuar vetë klubi i Kaljarit me anë të një komunikate zyrtare në sajtin e saj.

Interesante është se ky rast është i ngjashëm me atë të trajnerit italian të Apolonisë, Fabricio Kamaratës i cili la Dinamon në Kategorinë e Parë për t’iu bashkuar skuadrës fierake në Kategorinë Superiore për të luftuar për mbijetesë.

E njëjta gjë edhe me Sempliçin i cili la SPAL-in e portierit të Kombëtares shqiptare Etrit Berisha në Serinë B për t’iu bashkuar Kaljarit në Serinë A për të luftuar për mbijetesë.

KOMUNIKATA ZYRTARE E KLUBIT TË KALJARIT –

“Klubi i Kaljarit njofton zyrtarisht emërimin e trajnerit të ri i cili do të jetë Leonardo Sempliçi, i cili ka firmosur një kontratë deri në 30 qershor 2022. ” Profesionalizëm, fleksibilitet, praktikë, Leonardo Sempliçi është i gatshëm të marrë frenat e ekipit kuqeblu.”