Futbollistët shkodranë janë të shpërndarë në mbarë Europën dhe luajnë në disa prej kampionateve më të rëndësishme në kontinent. Disa madje edhe protagonistë kryesorë me skuadra ku luajnë, duke zënë shpesh edhe faqet e para të gazetave dhe vlerësimet e ekspertëve. ‘Shkodra Sport’ ka bërë një vëzhgim duke nxjerrë emrat e disa futbollistëve me origjinë nga qyteti ynë që luajnë në mbarë Europën.

Kështu duke e filluar nga një vend fqinj siç është Italia, ku aktivizohen shumë futbollistë shqiptarë. Përjashtim nuk bëjnë as shkodranët, ku dy më të famshmit janë Elseid Hysaj që luan tek Lazio dhe Marash Kumbulla i Romes. Por emër në futbollin e moshave po bëjnë edhe Elio Zalli i Sassuolos dhe Andrea Filipi i Alessandrias. Në Gjermani kanë zhvilluar një edicion të suksesshëm deri më tani Elsamed Ramaj i Alemmania Açhen dhe Brajan Gruda i Mainz u-19.

Por edhe në gadishullin Ballkanik ka shumë futbollistë nga Shkodra që aktivizohen. Kështu në Turqi luan Sindrit Guri tek Istanbulspor, Bekim Balaj tek Ankara dhe Erald Çinari tek Samsunspor. Enis Çokaj së fundmi po aktivizohet në Greqi me Panathinaikos e ndërsa emër po bën edhe Andreas Ndoj tek Olimpiakos.

Ndërsa në Malin e Zi luan Erjon Vucaj me Decic dhe Ndue Mujeci me Jezerzo. Përjashtim nuk bën as Armando Vajushi që është pjesë e futbollit në Rumani. Futbollistë shkodranë ka edhe në Maltë, ku prej tre sezonesh luan Eslit Sala me ekipin e Valletas.

Në Sllovaki aktivizohet prej fillimit të këtij edicion edhe Elmir Lekaj, me skuadrën e D.Kubin. Ndërsa Ardit Krymi u shpall kampion i Bjellorusisë me Shaktyor Soligorski. Shkodranët i gjejmë edhe në Skandinavi, është Arlind Kalaja që luan në Suedi më skuadrën e Ljungskile.

Nuk kemi harruar as gadishullin britanik, ku Armando Broja luan në një nga klubet më të mëdha në Botë, me Chelsean në kampionatin anglez e ndërsa në Skoci po përpiqet që të bëjë emër Roço Vata dhe Justin Ferizaj në Irlandë. Në Rusi po ashtu luan edhe Mario Mitaj me Lokomotiven e Moskes.

Ka edhe shumë futbollistë të tjerë nga Shkodra që po luajnë në Europë. Por këta janë disa nga emrat më të spikatur në disa prej skuadrave dhe kampionateve më të forta të kontinentit. E kjo tregon se çdo fëmijë shkodran, i lindur apo jo në qytetin e tij e trashëgon kudo traditën e mirënjohur të futbollit të qytetit verior.
Endri ÇINARI