Nëse flasim për atletikën shkodrane të femrave, sukseset e saj të padiskutueshme në vitet ’60-’70, kurrsesi nuk mund të anashkalosh një emër të njohur të atyre viteve, atë të kampiones dhe rekordmenes Angjelina Gurakuqi.

Ndonëse karriera e saj u ndërpre në mes për shkak të një dëmtimi të rëndë (ka thyer këmbën), sërish në histori kanë mbetur 10 rekordet kombëtare që ka thyer, 9 prej të cilëve në garën e kërcimit së gjati dhe 1 në 200 metra me pengesa.

Pa përmendur këtu edhe titujt e shumtë kampion në kërcim së gjati, 100 dhe 200 metra me pengesa si dhe në pesëgarësh e shumëgarësh. Jo më kot është vlerësuar si “atletja e shekullit” e Sportklub Vllaznia.

Në një rrëfim ekskluziv për “Shkodra Sport”, e pyetur se çfarë do të thoshte për të përfaqësimi i emrit Vllazni në garat kombëtare, ajo do të shprehej: “Emri i Vllaznisë ka qenë gjithçka për mua, ka qenë nder, lavdi. Ku ka ma mirë se me ken me Vllazninë.

Kemi ba shumë pas këtij emri. Asnjana prej nesh nuk e kishte mendjen tek suksesi individual por me nxjerr Vllazninë kampione. Dhe ajo u ba 17 vjet rresht kampione, pikërisht prej punës së madhe që kena ba në stërvitje me trajnerët tonë”.
Gjergj KOLA

Për më shumë, lexoni të plotë intervistën e dhënë për “Shkodra Sport” nga ish- kampionia e rekordmenia e atletikës Angjelina Gurakuqi, duke klikuar në linkun e mëposhtëm: