Në kampionatin shqiptar jemi mësuar shpesh me vendime të çuditshme të gjyqtarëve apo mos-veprimeve të tyre. Megjithatë, një tjetër rast i tillë ka ndodhur edhe në ndeshjen e sotme të kampionatit të moshave U-17, ku përballeshin Vllaznia me Tiranën. Kuqeblutë pësuan një humbje në këtë ndeshje me rezultatin e ngushtë 0-1.
Ky gol erdhi nga një 11-metërsh i paqenë, i akorduar nga arbitri kryesor Granit Sulko, i Kolegjiumit të Lushnjës. Po ky gjyqtar ishte protagonist negativ edhe në ndeshjen e 21-vjeçarëve, Tirana-Vllaznia, pak ditë më parë, që u fitua nga bardheblutë me rezultatin 3-1. Në atë ndeshje, Sulko ndëshkoi me karton të kuq trajnerin e Vllaznia U-21, Ergi Borshi.
Ndërkohë që, të njëjtin standart nuk e mbajti më pas me futbollistët e Tiranës, të cilët shkaktuan dy ndërhyrje mjaft të rënda ndaj William Cungut dhe Xhuljan Kapllanajt, dyshe kjo që do të qëndrojë disa muaj larg fushave të blerta si pasojë e dëmtimeve që morën në këtë ndeshje. Edhe gjatë dhe pas duelit të sotshëm të 17-vjeçarëve, kanë shpërthyer polemikat për gjykim të njëanshëm të kryesorit të takimit Granit Sulko, teksa më saktësisht, protestat janë shtuar pas 11-metërshit të paqenë në favor të Tiranës, që u realizua në gol më pas nga ekipi bardheblu.
Pamjet filmike të ndeshjes të siguruara nga operatori Kristian Troshani tregojnë qartësisht se mbrojtësi i Vllaznisë nuk ndërhyn fare ndaj sulmuesit të Tiranës që po kontrollonte topin, por nuk ka menduar në këtë mënyrë njeriu që e drejtonte këtë ndeshje. Gjyqtari kryesor, lushnjari Granit Sulko, akordoi qetësisht penalltinë dhe Tirana nuk e kishte të vështirë më të kalojë në avantazh, mes polemikave të futbollistëve dhe stafit të Vllaznia U-17.
Një rastësi e çuditshme kjo që ndodh në dy ndeshje të grupmoshave të Vllaznisë ndaj grupmoshave të Tiranës dhe në të dy këto ndeshje protagonist bëhet po i njëjti arbitër, pikërisht një emër si Granit Sulko, që në shumicën e ndeshjeve të arbitruara nga ana e tij deri më tani, i ka mbyllur me polemika.
Nga Maringlen ZHIVANI/STAR-PLUS.TV/