Në opinionin sportiv shkodran ka më tepër se tre muaj që po diskutohet çështja “Vulaj”. Shqiptari nga Tuzi erdhi këtë sezon te Vllaznia dhe të gjithë menduan se do të ishte një lojtar i rëndësishëm për të, por në fakt deri më tani kjo nuk ka ndodhur.

Trajneri Josa e ka shprehur herëpashere se nuk mund të ndryshojë skemë për hatër të këtij lojtari, i cili natyrisht duhet të ndryshonte mënyrë të luajturi, nëse dëshironte aktivizimin megjithatë deri tani pak ka ndodhur. Shumëkush mendon se Vulaj në janar edhe mund të largohet nga Shkodra, por krejt ndryshe mendon njeriu që ndoshta e njeh më mirë se kushdo tjetër, Asim Gjokoviç.

Ish- futbollisti i Vllaznisë kampione në vitin 2001, e ka stërvitur për disa vite me rradhë Vulajn me ekipet e moshave në Tuz dhe po ashtu ka qenë me të edhe në dy vitet e kaluara kur ai shpërtheu tek Deçiq. Duke ia njohur mirë vlerat, Gjokoviç nuk ka dëshirë të fajësojë as Josën për mosaktivizimin, por vazhdon të jetë i mendimit se Kristijan Vulaj është lojtari që i duhet Vllaznisë.

Këtë gjë ai e ka thënë në një intervistë ekskluzive për gazetën “Shkodra Sport” e përpos saj ka folur edhe për gjëra të tjera, pa lënë mënjanë kurrsesi kujtimet e bukura nga ajo periudhë kur luante për Vllazninë.

“Unë kam menduar se Kristijani do të ishte lojtari i duhur për të ndërlidhur mesfushën me sulmin. Nuk e di pse kjo nuk ka ndodhur tek Vllaznia, ndoshta ngaqë nuk është ingranuar mirë me idetë e trajnerit, i cili e sheh ndryshe futbollin dhe kjo është normale sepse jo të gjithë e shohim njëlloj futbollin.

Për dy vite tek Deçiç ka luajtur shumë mirë dhe sëbashku me Ilir Camajn dhe me golat e këtyre dy lojtarëve ne kemi shkuar dy vjet rresht në Europë. Unë e kuptoj që trajneri i Vllaznisë ka skemat e tij, ka idetë e tij, por unë vazhdoj të jem i bindur se Vulaj do të mundet t’i bëjë punë skuadrës shkodrane.

Ndoshta i duhet edhe pak kohë të përshtatet sepse çdo lojtar që ndërron ambjent, do kohën e vet për t’iu përshtatur ekipit të ri. Megjithatë mendoj se i duhet krijuar pak më shumë hapësirë për të treguar vlerat e tij, ato vlera që unë i njoh mirë. Ai nuk mundet të tregoj sa vlen me një gjysëm ndeshje, me 20 apo 15 minuta, i nevojiten 3-4 ndeshje rresht të luajë si titullar.

Pavarësisht asaj se çfarë mund të mendojnë të tjerët, unë që e njoh mirë këtë lojtar i cili është rritur nga ana profesionale nga duart e mia, e përsëris sërish se Kristijan Vulaj është lojtar për Vllazninë. Jam mëse i bindur për këtë çfarë them dhe me atë çfarë di dhe e njoh këtë lojtar. E ka treguar veten edhe në dy vitet e kaluara dhe nuk shkoi kot deri tek kombëtarja malazeze”- është shprehur ai.

Të plotë intervistën e Asim Gjokoviç mund ta ndini në kanalin zyrtar të gazetës “Shkodra Sport” në youtube duke klikuar në linkun e mëposhtëm: