Edhe pse Vllaznia ka nxjerrë në vite futbollistë të shkëlqyer, vetëm një kapiten ka fituar dhe ka arritur për të ngritur lart dy trofe të njëpasnjëshme për dy vite rradhazi. Dy prej këtyre trofeve të fundit janë fituar në vitin 2021 dhe 2022, teksa njëri prej protagonistëve të këtij suksesi ka qenë edhe Erdenis Gurishta.
Jo më kot, ai është vlerësuar si një nga “Personazhet e vitit 2022” nga “Shkodra Sport” gjatë vitit të kaluar. Ndërkohë, duke folur në lidhje me këtë vlerësim, Gurishta ndihet mjaft i lumtur dhe në një prononcim për “Shkodra Sport” është shprehur se për të Vllaznia është gjithçka, pasi i ka dhënë shumë atij. Poashtu, kapiteni i ekipit kuqeblu theksoi se do t’i jetë gjithë jetën mirënjohës Vllaznisë.
“Për mua, Vllaznia është gjithçka. Unë gjithmonë dhe gjithë jetën do t’i jem mirënjohës Vllaznisë. Ndoshta nesër nuk mund të jem te Vllaznia, por gjithsesi do t’i jem mirënjohës, sepse falë Vllaznisë jam ky që jam sot.
Në fakt, falë Vllaznisë më erdhi edhe ftesa në Kombëtare, falë Vllaznisë fitova këto dy trofe. Të them të vërtetën kam pasur shumë oferta, e di edhe klubi, sepse ndoshta shpesh herë mund të kenë ardhur edhe oferta konkrete në klub.
Shpesh herë mund të ketë pasur bisedime direkte me mua dhe asnjëherë nuk e kam ndërruar Vllazninë, edhe pse kam pasur shumë oferta financiare më të mira se Vllaznia. Këtë e them haptas, madje edhe në Shqipëri kam pasur oferta më të mira financiare se Vllaznia, por gjithsesi asnjëherë nuk e kam ndërruar Vllazninë. Kurrë nuk kam menduar për atë anën financiare.
E kam ndjerë që duhet të qëndroj te Vllaznia, duhet të fitoj trofe, sepse këtu jam lindur, këtu jam rritur dhe e ndieja shpirtërisht që duhet të qëndroja te Vllaznia dhe fitova trofe për vendin tim, për qytetin tim. Prandaj, nuk e ndërrova kurrë Vllazninë”,-tha gjatë prononcimit të tij për “Shkodra Sport”, kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta.
Maringlen ZHIVANI