Kombëtarja shqiptare U-17 ka nisur që të dielën grumbullimin në kuadër të dy ndeshjeve miqësore kundër Bosnje-Hercegovinës të programuara për t’u luajtur më datat 15 dhe 17 shkurt, me lojtarët e ftuar nga stafi teknik që janë paraqitur dhe kanë zhvilluar tashmë seancën e parë stërvitore. Trajneri Ervin Bulku ka nisur nga puna me grupin, teksa nuk ka probleme fizike dhe i gjithë grupi është në formë optimale.
Pjesë e kombetares eshte edhe futbollisti i Akademise Vllaznia Egert Selmani. Ne nje prononcim te dhene per mediat, ai thekson se dy rezultate pozitive në këto miqësore do ta ndihmonin shumë ekipin të shkonte me moralin lart në fazën e Elite Round të Europianit të moshës U-17. Shqipëria është shortuar në Elite Round në grupin 8 së bashku me Francën, Zvicrën dhe Letoninë dhe të gjitha ndeshjet e kësaj faze do të luhen në vendin tonë në muajin mars.
“Ndihem mjaft mirë, sepse është gjithmonë një nder i madh të grumbullohesh me ekipin Kombëtar. Për mua nuk është hera e parë që vesh fanellën kuqezi dhe jam shumë i kënaqur nga ftesa. Kemi dy ndeshje shumë të forta miqësore ndaj Bosnjes që do të na ndihmojnë që të përgatitemi sa më mirë. Bosnja ka një skuadër shumë të fortë, por ne do të tentojmë të marrim rezultate pozitive në këto dy sfida, teksa luajmë edhe në fushën tonë para publikut shqiptar, dhe do të na ndihmojnë të kemi moralin lart për turneun zyrtar.
Këto miqësore janë në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e Elite Round kundër Francës, Letonisë dhe Zvicrës. Shkalla e vështirësisë në këto ndeshje do të jetë mjaft e lartë, por ne do të japim maksimumin me qëllimin për të marrë rezultate pozitive. Do të bëj gjithçka personalisht duke dhënë maksimumin me fanellën kuqezi dhe shpresoj që një ditë të mund të jem pjesë e Kombëtares A”, – shprehet Selmani.
Ndeshja e parë miqësore është planifikuar të zhvillohet më 15 shkurt, duke nisur në ora 15:00 në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës, ndërsa sfida e dytë Shqipëri U-17 – Bosnje Hercegovinë U-17 do të luhet më 17 shkurt, në ora 11:30 në stadiumin kombëtar “Air Albania” në Tiranë. Siç është bërë e ditur, në të dyja takimet, Federata Shqiptare e Futbollit do të hapë dyert për të gjithë tifozët, për t’u dhënë sa më shumë mbështetje kuqezinjve.