Në karrierën e tij si futbollist, ai ëshë shquar për lojën e bukur. Daljet e tij në krah, stopimet e mrekullueshme të topit apo kroset e shumta në zonën kundërshtare, bënë që tifozët shkodranë ta krahasonin Hysen Zmijanin me futbollistët brazilianë.

Ky i fundit duket shumë i kënaqur që Vllaznia e këtij sezoni po luan bukur, po luan futbollin tradicional shkodran dhe padiskutim që meritën ia faturon stafit teknik dhe veçanërisht trajnerit Brdariç.

Zmijani ka dhënë një intervistë sot për “Shkodra Sport” të cilën mund ta lexoni më poshtë, teksa ndalet edhe tek ndeshja e rradhës me Kukësin, të cilën sipas tij Vllaznia padiskutim që do të kërkojë të fitojë.


– Zmijani cili është mendimi juaj për Vllazninë e këtij sezoni?

Të flasësh për Vllazninë e gjithë sezonit është pak e vështirë, por me ndeshjen e fundit që bëri ndaj Teutës, ajo ka shkuar tek tradita e kësaj skuadre, tek tradita e lojës së bukur.

Nga sa kam parë unë, kjo ndeshje ishte loja më e bukur dhe më bindëse, si nga ana mbrojtëse ashtu edhe ajo sulmuese. Sidomos në anën sulmuese, Vllaznia shfaqi një gjë shumë të bukur të cilën kemi kohë që nuk e kemi parë.

– Po flitet shumë për një Vllazni që mund të pretendojë edhe fitimin e titullit kampion. Ju besoni se mund ta arrijë këtë gjë?

Patjetër që besoj se Vllaznia mund të pretendojë për titull dhe ata që nuk e besojnë këtë gjë, e bëjnë thjesht për xhelozi. Këto rezultatet që ka marrë ajo, nuk i kam marrë as unë nga zyra, as Partizani, as Kukësi dhe askush tjetër, por i mori Vllaznia.

Kjo skuadër ka patur ndoshta edhe ato shanset e veta, por ka bindur dhe sidomos nga ana atletike, janë fantastikë. Dhe sidomos me Teutën, Vllaznia më ka bindur edhe më shumë se ka mundësi të ecë edhe më shumë përpara.

– Ka meritë stafi teknik në këtë ecuri të skuadrës?

Stafi teknik është i pari, pavarësisht se duhet t’i rrisim vlerat edhe sponsorit, por stafi ka vendin më kryesor. Ndoshta në pjesën e parë të fazës së parë, nuk jemi bindur aq sa duhet, pavarësisht se kishte fitore por bindte aq shumë me lojë, por tashmë po i bindë të gjithë edhe me lojë.

Kjo është e bukura e kësaj skuadre, e bukura e këtij trajneri, e gjithë këtij stafi që gradualisht po vjen tek ajo Vllazni që ne kërkojmë dhe që ka kohë pa e parë.


– Duket se kemi të bëjmë me një Vllazni me filozofi gjermane, por edhe në traditën e saj me futbollin e bukur…

E përsëris, kjo ndeshja e fundit me Teutën më ka bindur edhe më shumë, për të folur vetëm gjëra të mira. Më përpara ndoshta kemi folur me njëfarë skepticizmi sepse nuk ka patur yje dhe përsëri nuk ka yje, por është ai ambjenti, ëshë ajo rinia apo grupi që po e bën këtë ekip të fitojë dhe po i bind të gjithë se vendi i parë i tij është i merituar.


– Të premten Vllaznia do të luajë ndaj Kukësit, njërës prej dy skuadrave që e ka mundur këtë sezon. Si e mendoni?

Të them të drejtën vetëm Kukësi më ka bindur pak me atë ndeshje që zhvilloi fazën e parë në Shkodër. Ishte një ekip që më pëlqeu, por ndërkohë Vllaznia po shfaq gjëra fantastike dhe sidomos në dy ndeshjet e fundit ka treguar shumë gjëra. Tani kush flet me rezerva për Vllazninë, gabon, sepse edhe po luan bukur, edhe ka rezultate dhe pse jo të mos shkojë deri në fund me këto rezultate. Padiskutim që ka më pasë edhe humbje sepse futbolli e pranon këtë gjë, por unë shpresoj se do të vazhdojë kështu dhe puna fantastike e stafit do të japë efektin e vet.


– Duhet të synojë fitoren Vllaznia ndaj Kukësit apo duhet të jetë e kënaqur edhe me barazimin?

Mund të them se dy skuadrat janë të barabarta me Kukësin që kam parë në Shkodër. Por tani për Vllazninë mund të flasë me fjalë të tjera dhe pse jo, edhe të fitojë në këtë ndeshje. Skuadra nga ana fizike, është për t’i hequr kapelen dhe ndeshja e fundit na ka bindur edhe me lojë dhe shpresoj që ta shohim shpesh kështu. Kuptohet që mungesa e tifozëve e ka penalizuar pak skuadrën sepse po të kishin qenë edhe ata në stadium, atmosfera do të kishte qenë fantastike./SHKODRA-SPORT.COM/