Tërbuni i Pukës ka arritur të fitojë ditën e sotme në ndeshjen e javës së 10-të të Kategorisë së Parë. Ekipi i drejtuar nga trajneri shkodran, Elvin Beqiri ka gjetur suksesin pas një “ngërçi” në rezultate në javët e fundit.

Pukjanët kanë mposhtur 1-0 skuadrën e Besës së Kavajës në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës. Ka qenë një gol i shënuar në minutën e 33-të të ndeshjes nga ana e sulmuesit të mirënjohur, Vilfor Hysa që ka vendosur fatet e takimit.

Rrjeta e ish-sulmuesit të Vllaznisë i dërgon pukjanët në kuotën e 15-të pikëve në vendin e 5-të të renditjes. Një klasifikim komod ky për Tërbunin ku më poshtë keni edhe videon e golit të sotëm. Një gol model për nga mënyra e aksionit, që të sjell në kujtime golat që realizonte Barcelona.

Plot 12 pasime të sakta rradhazi që fillojnë nga portieri Kuka e përfundojnë me sukses me golin e shënuar nga Hysa. Një gol që shihet rrallë në futbollin tonë dhe kjo shkon si meritë jo vetëm e futbollistëve në fushën e lojës, por edhe e trajnerit Elvin Beqiri dhe stafit të tij që po bëjnë një punë shumë të mirë tek Tërbuni.
Endri ÇINARI