Dy vjet e gjysëm më parë, kur Vllaznia ra nga kategoria, Shaban Piranej nuk i ndali lotët e keqardhjes për këtë dështim të saj të skuadrës së tij të zemrës. Por sivjet, gjërat po shkojnë krejt ndryshe dhe tifozi 74 vjeçar që në profesionin e tij është këpucar, është i lumtur dhe njëkohësisht beson edhe tek fitorja e nesërme ndaj Tiranës.
Një gjë të tillë ai e ka shprehur edhe në një intervistë të shkurtër dhënë ekskluzivisht për gazetën “Shkodra Sport” në të cilin vlerëson të gjithë skuadrën për punën e deritanishme.
“Jam shumë i lumtur me këtë nisje të mirë të kampionatit dhe lus Zotin që nesër në ndeshjen me Tiranën, të dalim me një fitore. Jam i bindur se do të dalim me fitore nga kjo ndeshje. Unë besoj shumë tek fitorja. Besoj tek i gjithë kolektivi me në krye trajnerin.
Ky ekip ka një harmoni shumë të mirë e po ashtu edhe sponsorit Xhaferi i uroj shëndet e lumturi në familjen e tij. 99 për qind Vllaznia del kampion këtë vit. Nëse kjo ndodh, unë do të marr një orkestër në lagjen “Liria” dhe do të festoj para dyqanit me të gjithë tifozët që do të vijnë. Kjo e sivjetmja është një Vllazni e bukur, por rreziku jonë që nuk lejohemi të jemi në stadium”- ka thënë Shaban Piranej për “Shkodra Sport”.
I pyetur ndërkohë sërish për ndeshjen e nesërme, për parashikimin e tij për rezultatin dhe autorët e golave, tifozi Piranej do të shtonte: “Jam i bindur 100 për qind se nesër do fitojmë. Unë mendoj se do të fitojmë 2-1 dhe autorë të golave do të jenë vlonjati Hoxhaj dhe Marku”./SHKODRA-SPORT.COM/