Në historinë e Vllaznisë kanë dhënë kontribut shumë sportistë dhe në fakt jo të gjithë përmenden. Ndoshta jemi fokusuar tek disa prej emrave më të rëndësishëm por në sportet kolektive, kuptohet që gjithësecili ka dhënë më të mirën e vet për lartësimin e emrit të Vllaznisë.

Njëri prej tyre është edhe Vitor Plumbini. U ndalëm tek kjo figurë sepse për të dita e sotme është e veçantë. Ai ka ditëlindjen dhe feston 72 vjetorin e lindjes.

Vitor Plumbini ka lindur në Shkodër më 7 prill 1951 dhe në rininë e tij vendos të merret me futboll duke qenë pjesë e një brezi të shkëlqyer sportistësh të Vllaznisë së viteve ’70. Por nderkohe ka qene pjese edhe e Flamurtarit te Vlores gjate periudhes se sherbimit ushtarak, per t’u rikthyer serish ne Shkoder tek Vllaznia.

Ka luajtur në repartin e sulmit dhe sa herë që i është kërkuar të japë kontributin e tij, e ka bërë në maksimum këtë gjë. Karakteristikat kryesore të Plumbinit kanë qenë ato të një lojtari teknik dhe të shpejtë.

Ka dhënë kontributin e tij për Vllazninë në fitimin e disa trofeve dhe për këtë arsye, është pjesë e rëndësishme e historisë së kësaj skuadre. Gazeta “Shkodra Sport” me rastin e ditëlindjes së tij, i uron Vitor Plumbinit edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Gjergj KOLA