Shkruar nga Gjergj KOLA
Ajo është vetëm 12 vjeçe, ka lindur në Australinë e largët, por duket se lidhjen me vendin e të parëve të saj e ka të fortë. Jo më kot, e thotë edhe vetë se ëndrra e saj e madhe është që një ditë të luajë për ekipin e Vllaznisë dhe të kombëtares shqiptare.
E kemi fjalën për Victoria Kullin. I ati i saj është nga Shkodra dhe ka emigruar në Australi që në vitin 1993 dhe vijon të jetojë atje me familjen e tij. E bija që në moshë të vogël ka shfaqur pasionin për futbollin dhe si rrjedhojë e kanë rregjistruar në një nga ekipet e moshave të Adelaide.
Sot aktualisht luan për ekipin U13 të Adelaide dhe spikat mbi të gjitha për talentin dhe performancën e saj në çdo ndeshje që luan dhe si rrjedhojë stafi teknik e konsideron një element me shumë të ardhme.
Victoria e ka shumë pasion futbollin dhe pjesën më të madhe të kohës së lirë, ndryshe nga moshatarët e saj nuk e kalon me mjetet elektronike në dorë, por me topin e futbollit në këmbë. Përpos stërvitjes me ekipin, stërvitet edhe me një trajnere personale nga Japonia e cila e ka ndihmuar të rritet edhe më shumë nga ana profesionale.
Ajo është ende në një moshë të vogël, megjithatë ka plane të mëdha përpara. Pikësëpari të luajë sa më shpejt të jetë e mundur me Vllazninë. Ajo ende nuk e njeh mirë dhe nuk e di se çfarë është realisht kjo skuadër, por ka dëgjuar shumë nga i ati- Edmondi, i cili ka qenë një tifoz i madh i skuadrës kuqeblu dhe si rrjedhojë edhe Victoria është dashuruar në distancë me këtë skuadër dhe ëndërron ta veshë sa më shpejt fanellën e saj.
Njëkohësisht edhe të kombëtares shqiptare sepse lidhjen me vendin e shqiponjave e ka të madhe. Dhe shembullin e kësaj futbollisteje të vogël 12 vjeçare duhet ta ndjekin edhe fëmijët e të shqiptarëve të tjerë që jetojnë në vendet e ndryshme të Botës. Shqipëria duhet të jetë zgjedhja e parë për secilin prej tyre.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


