Vllaznia U19 e drejtuar nga trajneri Vioresin Sinani, deri më tani, po kryeson me meritë renditjen e grupit A të kësaj grupmoshe. duke u pozicionuar kështu në krye të renditjes. 19-vjeçarët shkodranë janë një skuadër, e cila mundohet të luajë bukur futboll dhe të shtunën ata do të luajnë një ndeshje tepër të rëndësishme me Partizanin e vendit të dytë.

Në prag të kësaj sfide, në një intervistë për “Shkodra Sport”, trajneri Sinani shprehet se nuk e ka shumë mendjen tek rezultati, por tek nxjerra e elementëve cilësorë nga skuadra e 19-vjeçarëve.

“Eshtë një ecuri e mirë të them të drejtën. Në kampionat, ekipi është paraqitur mirë. Ekipi ka luftuar, ka vrapuar, ka elementa të mirë në ekip që bëjnë një futboll cilësor. Esenca e këtij ekipi jam i bindur që është gjithmonë që për çdo vit të ketë dy-tre elementa që të jenë të denjë për të dalë te Vllaznia, te ekipi i parë. Deri tani jemi të kënaqur kështu që të shohim në vazhdim.

Me moshat ka rivalitet, sidomos të them grupi i veriut është mjaft i fortë, me 4-5 ekipe që pretendojnë të gjitha. Jam i bindur se Vllaznia do të paraqitet mirë deri në fund. Esenca e këtij ekipi, gjithmonë do ta them, është që elementët të jenë të gatshëm për ekipin e parë, të shkojnë të përgatitur dhe të jenë lojtarë që në të ardhmen të luajnë me Vllazninë e madhe”-thotë ai.

Ndër të tjera, Sinani thekson se ekipi do të pretendojë deri në fund për titullin kampion, teksa nga ana tjetër thotë se shumë shpejt disa nga lojtarët e tij që drejton aktualisht, shumë shpejt do të luajnë në nivele të larta të futbollit.

“Patjetër, ky ekip do të pretendojë deri në fund për titull kampion dhe jam i bindur se 5-6 lojtarë shumë shpejt do të jenë lojtarë të Superiores.

Jam i bindur se Vllaznia U19 ka lojtarë të mirë, si në portë, si në mbrojtje, si në mesfushë, si në sulm. Nuk po përmend emra, por po e ripërsëris që shumë shpejt disa nga këta lojtarë do të luajnë në nivele të larta në Superiore dhe më lart.

Në aspektin personal deri tani jam i kënaqur, të shohim në vazhdim”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Vllaznia U19, Vioresin Sinani.
Maringlen ZHIVANI