Sot u luajt ndeshja e kthimit të çerekfinales mes Vllaznisë dhe Flamurtarit. Takim që u mbyll në shifrat 1-0 për Vllazninë. Shifra që vulosën edhe kualifikimin e kuqebluve në gjysmëfinalen e kupës.
“Shkodra Sport” sjell për lexuesit e saj disa nga “pikantet” e ndeshjes që u mbyll para pak orësh.

-Ndeshja gjykohet nga një femër. Emanuela Rusta, gjyqtarja nga Elbasani është caktuar si kryesore e kësaj sfide.

-Interesimi nuk mungon edhe për një ndeshje kupe, në tribunën kryesore ka një numër të kënaqshëm tifozësh.

-Andi Ribaj pretendon për penallti pas një kontakti me Gurishten. Kryesorja e cilëson të rregullt ndërhyrjen e kapitenit shkodran.

-Vllaznia shpëton për mrekulli në minutën e 7-të, ku një gjuajtje diagonale e Ribajt, devijohet në shtyllë nga një prekje e lehtë e Zogoviç.

-Një grup tifozësh ultras të Vllaznisë nuk pushojnë gjatë gjithë takimit duke brohoritur për skuadrën e tyre të zemrës.

-Shumë aktiv trajneri Brdariç duke dhënë udhëzime për skuadrën e tij. Ndërkohë më i qetë kolegu i tij, Resuli tek vlonjatët.

-Vllaznia pëson gol në minutën e fundit të pjesës së parë. Tifozët shkodranë duartrokasin ekipin e Flamurtarit, pasi aksioni i golit ishte një model për nga mënyra e ekzekutimit. Por goli anullohet pas vendimit të VAR. Shkak se goli u shënua nga një pozicion jashtë loje.

-Ka duartrokitje për Olsi Gocajn nga tifozët shkodranë në fund të pjesës së parë. Mbrojtësi iu kthen përshëndetjen mbështetësve kuqeblu.

-Ndërkohë nuk mungojnë as batutat nga tifozët. Ku shprehen: “Më shumë shkodranë në fushë ka Flamurtari se Vllaznia”.

-Ka entuziasëm në shkallët e “Loro Boriçit”. Një aksion i bukur i Vllaznisë, gjen Çobën i cili godet mjaft bukur, por topi përplaset në shtyllën pingule. Rasti i parë për tu veçuar për shkodranët vjen në minutën e 61-të të takimit.

-Zinedin Mustedanagiç konfirmohet si njeriu i kupës. Mesfushori boshnjak shënon gol në minutën e 70-të. Goli i 6-të këtë edicion për të në kupë.

-Duartrokitje për Hakaj dhe Aralica në momentin e zëvendësimit. Sidomos për sulmuesin kroat ku tifozët shkodranë i shprehin mbështetje pas një ndeshje jo në nivelin e duhur për shtatlartin.

-Ka debutim për Vllazninë. Në fushë Paulo Pjeshka, vëllai i Denis Pjeshkës që luan me Flamurtarin. Një emocion i veçantë për 18-vjeçarin, që do mbahet mend gjatë.

-Ndërkohë mbyllet 1-0 për Vllazninë që kualifikohet në gjysmëfinale të kupës. Ndërkohë vlerësime edhe për Flamurtarin që bëri një paraqitje dinjitoze në këtë kompeticion.
Endri ÇINARI