Sulmuesi Vilfor Hysa po kalon momente jo të mira në Shkodër. Që prej tre muaj gati që ai është pjesë e Vllaznisë, ai nuk ka arritur të shënojë një gol të vetëm, qoftë edhe në miqësore. Shifrat janë aspak të mira për një sulmues. Një fakt paksa absurd megjithatë ky është realiteti. Arsyet e sakta pse po ndodh kështu nuk mund të thuhen me saktësi por ja që ka ndodhur. Hysa nuk ka shënuar në asnjë ndeshje kampionati deri tani, madje nuk e ka bërë këtë gjë as në ndeshjet e Kupës së Shqipërisë dhe as në miqësoret e zhvilluara nga ekipi shkodran. Paksa e çuditshme por sulmuesi shtatëshkurtër nuk po arrin të shënojë as në testet e kontrollit kundër ekipit të të rinjve. Ka ndodhur kështu pasditen e së enjtes kur trajneri Duro kishte planifikuar një ndeshje kontrolli kundër ekipit të të rinjve të Vllaznisë. Vllaznia e madhe e fitoi këtë ndeshje me rezultatin e thellë 5-0. Ka shënuar në këtë miqësore Shtubina, kanë shënuar dy mbrojtësit Kraja e Beqiri, ka shënuar edhe sulmuesi tjetër Rexha, madje dy gola. Vetëm Hysa jo. Kjo tashmë është kthyer në një çështje të vërtetë sepse në fund të fundit, ky lojtar është marrë për të shënuar gola. 40 milionë lekët e harxhuar për kontratën e tij janë shumë përballë një “shterpësie” të tillë. Jo më kot, drejtues të klubit, të pakënaqur në maksimum me paraqitjen e këtij lojtari kanë menduar dhe ndoshta po mendojnë ndërprerjen e kontratës me këtë futbollist. Lojtari nga kryeqyteti ka firmosur me Vllazninë më 24 korrik të këtij viti dhe në konferencën e parë për shtyp, menjëherë pas firmosjes deklaroi: “Nëse më vijnë topat e duhur, për golat do mendoj unë”. Në fakt, gola nuk ka deri tani por edhe nuk mund të fajësohet I tëri lojtari ngaqë skuadra nuk ka luajtur ashtu siç duhet në manovrën sulmuese duke mos I ndihmuar aq sa duhet sulmuesit. Hysa ka luajtur deri tani në ndeshjet ndaj Skënderbeut, Kukësit, Apolonisë dhe Laçit ndërsa ka munguar në takimet ndaj Luftëtarit dhe Bylisit. Hysa nuk ka shënuar as në dy ndeshjet e vlefshme për Kupën e Shqipërisë, ato ndaj Ilirisë së Fushë- Krujës. Sulmuesi shtatëshkurtër ka luajtur edhe në 5 nga 6 miqësoret e zhvilluar nga skuadra shkodrane gjatë muajit gusht, pikërisht ndaj Mornarit të Tivarit, ndaj Besëlidhjes në dy takimert ndaj saj, ndaj Adës dhe ndaj Shkumbinit. Në asnjërën prej këtyre miqësoreve nuk ka patur sërish gol prej tij. Shto këtu edhe miqësoren e fundit ndaj U-19 të Akademisë Vllaznia dhe sërish s’ka gol. Diçka e pazakonte për një sulmues, të mos shënojë as në miqësore, madje me të qeshur në kampin shkodran ka filluar të thuhet se ai vuan për të bërë gol edhe në stërvitje. Shokët e ekipit në fakt janë munduar ta inkurajojnë. Smajli në konferencën e fundit për shtyp ka dalë hapur në krah të tij duke u shprehur hapur se edhe golat e tij do vijnë. Megjithatë gati tre muaj pa gol për një sulmues janë tepër. Trajneri Duro, ka filluar të thotë se në merkaton e janarit do vijnë edhe 2-3 lojtarë të tjerë. Me shumë mundësi njëri nga to do jetë sulmues. Çka do të thotë se Hysa veçanërisht por dhe Rexha- sulmuesi tjetër, duhet të ndjehen të rrezikuar. Për këtë arsye, të dy ata duhen të ndryshojnë sa më shpejt. Duke filluar nga ndeshja e rradhës sepse Vllaznia ka nevojë për golat e tyre. Paralajmërimin Hysa e ka marrë që para disa kohës nga drejtori sportiv Grima, po ashtu edhe trajneri Duro gradualisht ka hequr dorë nga besimi për këtë lojtar dhe jo më kot nuk po e aktivizion në formacionin e parë. Nëse heq dorë nga ai edhe administratori Gjyrezi, atëherë gjërat do ndërlikohen për këtë futbollist sepse me shumë mundësi mund të rishikohet kontrata e tij.
Gjergj KOLA