Ardhja e Edon Hasanit nuk mjafton për ndërtimin e skuadrës që dëshirojnë të gjithë në Shkodër. Drejtuesit e Vllaznisë e dinë fare mirë këtë gjë dhe për këtë arsye, janë vënë në lëvizje për të gjetur edhe të tjerë lojtarë cilësorë. Natyrisht që nevoja më e madhe është gjetja e një sulmuesi. Pikërisht për këtë, sot ka mbërritur në Shkodër dhe ka zhvilluar stervitjen e pare me ekipin një sulmues boshnjak.
Bëhet fjalë për Nedo Turkoviç. Ai është 27 vjeçar dhe 1 metra e 90 centimetra i gjatë. Gjatë karrierës së tij të deritanishme përveç në Bosnjë-Hercegovinë, ka luajtur edhe në Azerbajxhan, Kazakistan dhe Slloveni. Ky futbollist do të testohet për disa ditë nga ana e stafit teknik të Vllaznisë dhe madje mësohet se trajneri Cungu ka ndër mend të zhvillojë edhe ndonjë ndeshje miqësore gjatë këtyre ditëve me qëllim që të shohë mirë aftësitë e këtij sulmuesi. Por jo vetëm të tij. Në seancën e së hënës ka qene sërish i pranishëm edhe mesfushori kosovar Alban Ramadani. Ky i fundit ka qenë edhe javën e kaluar një ditë në stërvitje me Vllazninë por u detyrua të kthehet për disa probleme në Zvicër pranë familjes dhe tashmë do të rikthehet sërish për të vijuar provën tek kuqeblutë. Përshtypjet e para për të kanë qenë pozitive megjithatë kjo nuk mjafton për t’i ofruar një kontratë. Edhe Ramadani ashtu si Turkoviç do të shihen me shumë kujdes në ditët në vijim, para se të vendoset nëse do të vishen kuqeblu apo jo. Përpjekjet e drejtuesve shkodranë për të ndërtuar një skuadër të fortë për sezonin e ri vazhdojnë dhe për këtë, në ditët e ardhshme mund të presim të tjera surpriza.
© shkodrasport.com