Vllaznia arriti një fitore shumë të rëndësishme në javën e 21-të të Superiores. Kuqeblutë mposhtën rivalët e përjetshëm, Tiranën në klasiken e Shqipërisë. Një rezultat 1-0 në favor të kuqebluve, që hap totalisht garën për titullin kampion. Duke qenë se tashmë diferenca me Tiranën është vetëm 3 pikë.
Skuadra u përgjigj në mënyrën e duhur në një takim që ishte goxha deçiziv. E po ashtu edhe ata që kërkuan që ekipi të shfaqte grintën dhe zemrën e duhur ishin në nivelin e tyre maksimal. Fjala është për tifozët e Vllaznisë, që realisht dje ishin të pranishëm në numër të konsiderueshëm në shkallët e “Loro Boriçit”.
Mbështetësit shkodranë treguan edhe njëherë vlerat e tyre në tifo skenën shqiptare. Duke qenë kështu përgjatë 90 minutave në mbështetje të ekipit, duke ia bërë edhe më të lehtë ndeshjen.
Një vlerësim i veçantë duhet të shkojë edhe për tifo grupin “Vllaznit ultras” që si zakonisht në tribunën e tyre C-5 zhvilluan një performancë europiane.
Me “pyro show” siç thuhet në gjuhën e tifozllëkut. Një atmosferë që ndoshta nuk ndihej prek disa kohësh në Shkodër. E me sa duket kur skuadra kërkon atë tifozeri pas vetes, shkodranët përgjigjen gjithmonë. E jo vetëm në Shkodër, por edhe në transferta.
Endri ÇINARI