Në sfidën mes Tiranës dhe Vllaznisë, që u zhvillua në Shkodër, episodi më i rëndësishëm i moviolës ka qenë penalltia që vendosi ndeshjen në minutën e 49-të. Gjyqtari Enea Jorgji dhe Florjan Lata janë treguar korrektë në dhënien e penalltisë, ndonëse në fillim u duk sikur 11- metërshi për shkodranët ishte shumë bujar.

RASTI – Suksesi 1-0 i shkodranëve u vulos në fillimin e pjesës së dytë, më saktësisht në minutën e 49-të, kur gjyqtari Enea Jorgji bëri shenjë nga pika e bardhë pas një kontakti në zonë mes Balajt dhe Behiratçes, që po luftonin në një duel ajror.

Kryesori, edhe pse u kontestua nga lojtarët e bardhebluve, u konsultua me VAR-in, por nuk shkoi të rishikonte pamjet e asaj përplasjeje.

Ai mbajti vendimin, të cilin e kishte dhënë që në momentin e parë, për penalltinë, e cila u realizua nga Marku dhe rezultoi vendimtare për fatin e sfidës.

Në fakt, vendimi i gjyqtarit Jorgji është i drejtë. Behiratçe i ka vënë krahun mbi sup dhe nuk e lë të kërcejë Balajn, duke mos u interesuar fare për topin.

Edhe vetë ai nuk kërcen duke bllokuar lojtarin kundërshtar. Ky është gabimi i mbrojtësit të Tiranës që ka detyruar gjyqtarin të akordojë penalltinë.

Sado forca, penalltia është dhënë për veprimin. Kujtojmë që dueli mes Vllaznisë dhe Tiranës u vendos nga një gol i vetëm, i cili erdhi nga pika e bardhë e penalltisë.