Opinion nga Gjergj KOLA

 

Tre futbollistë shkodranë janë të gatshëm të kthehen për sezonin e ardhshëm. Të tjerë mund të jenë në rradhë për ta bërë një gjë të tillë. Ata presin vetëm një gjë: Ftesën e drejtuesve të Vllaznisë. Më shumë sesa kaq, këta futbollistë duan një premtim: ndërtimin e një skuadre pretendente për titullin kampion. Për t’I bërë të gjitha këto, nga ana e Bashkisë Shkodër, pronarja aktuale e klubit shkodran, duhen hedhur shuma të mëdha parash për sezonin e ardhshëm. Por në fakt, nuk është koha mesa duket për ta bërë një gjë të tillë. Në kushte të tilla, ka shumë dilema për të ardhmen. Xhevahir Sukaj dhe Armando Vajushi dje dhe sot Ndriçim Shtubina, publikisht në media  kanë bërë të ditur se kanë hyrë në kontakte me drejtuesit e Vllaznisë por pa gjëra konkrete sepse klubi shkodran ende nuk e ka përcaktuar të ardhmen e tij. Nga ana e klubit, dje nuk ka patur asnjë reagim, për të pohuar apo mohuar ato çfarë kanë thënë dy futbollistët e mësipërm. Përveç tyre, edhe Ansi Nika, Ndriçim Shtubina e ndonjë tjetër duken të gatshëm për t’u riveshur kuqeblu sezonin e ardhshëm. Njëri pa tjetrin këta futbollistë nuk kanë dëshirë të kthehen. Asnjëri prej tyre nuk është shumë dakord me atë çfarë ka ndodhur këtë sezon tek Vllaznia. Katër trajnerë të ndërruar dhe një skuadër jashtë çdo objektivi, sigurisht që nuk është ajo çfarë dëshiron një futbollist profesionist. Kushti I Sukajt, Vajushit, Nikës, Shtubinës e ndonjë tjetri sigurisht që është ai I ndërtimit të një skuadre pretendente sezonin e ardhshëm. Këtë kërkesë ka shfaqur në media edhe një nga kandidatët e mundshëm për trajner- Artan Bushati. Këtë mund të jetë edhe Shpëtim Duro apo ndonjë kandidat tjetër. Megjithatë Bashkia Shkodër për momentin është duke heshtuar. Ndoshta ajo ka marrë një sugjerim nga ana e drejtuesve të klubit për të mos nxituar njëherë, të paktën pa kaluar edhe ndeshja me Tomorin, për të siguruar edhe matematikisht qëndrimin në Superligë. Dikush thotë se takimi në Bashki mes krerëve të këtij institucioni do të zhvillohet në fillim të javës së ardhshme, por në fakt ka shumë dilema për këtë gjë. Mbledhja e djeshme e Këshillit Bashkiak tregoi se gjërat nuk do shkojnë ashtu siç duhet. Disa prej futbollistëve që duan të kthehen në Shkodër, kanë bërë të ditur se Vllaznia është e vonuar për sezonin e ardhshëm. Në fakt e tillë duket. Klubi shkodran I ka paratë deri në fund të qershorit. Por jo për më tej. Të paktën të miratuara apo të projektuara. Anëtarë të Këshillit Bashkiak kanë filluar të shprehen kundër mënyrës si po menaxhohet klubi nga ana e Bashkisë që kur ajo është pronarja e tij.