Pas ndeshjes me Skraparin dhe peripecitë e ndodhura në të, drejtuesit e Adës dolën me një deklaratë për shtyp ku bënin të ditur ndër të tjera se kjo skuadër do ta respektonte deri në fund kampionatin, pavarësisht se me një vendim të tilla mund t’I prishte punë skuadrave të tjera ndoshta. Kjo jo “për t’u mbyllur” gojën drejtuesve të Skraparit që I akuzuan gjoja për tolerim ndaj Himarës në kurriz të tyre por për të treguar se vërtetë do luajnë në atë mënyrë, në çdo ndeshje që ka mbetur deri në fund të kampionatit. Si për ta vërtetuar këtë gjë, velipojakët mundën javën e kaluar në fushën e tyre fqinjët e Besëlidhjes duke u prishuar atyre jo pak punë për zënien e vendit të katërt në renditje. Shumëkush mbase “I akuzoi” futbollistët e Adës për këtë lojë të fortë dhe për mostolerim megjithatë ata bënë punën e tyre. Ashtu siç do ta bëjnë edhe sot ndaj Luftëtarit në Gjirokastër apo javën e ardhshme në Velipojë ndaj Lushnjës. Velipojakët ndoshta kanë shumë gjëra në dorë për të përcaktuar skuadrën kampione apo fatin e pretendenteve të tjera dhe për këtë arsye, ata janë përgatitur seriozisht për të bërë një paraqitje të mirë. Këtë gjë ka deklaruar dje para nisjes për në Gjirokastër presidenti I kësaj skuadre Alfred Pjetri kur ka thënë: “Ada është e vendosur për të bërë më të mirën e mundshme në këtë fund-kampionati. Ne vërtetë jemi në pozita komode në renditje dhe mund të kishte vend edhe për tolerime por nuk e kemi bërë këtë gjë nuk do ta bëjmë. Edhe ndaj Besëlidhjes, ndonëse jemi miq me drejtuesit e saj, nuk bëmë tolerim dhe I mundëm. Po ashtu, shumë prej futbollistëve të kësaj skuadre, kanë luajtur tek ne një sezon më parë, megjithatë ne luajtëm fort dhe fituam ndaj tyre. Këtë gjë do bëjmë edhe në ndeshjet që na kanë mbetur, ndaj Luftëtarit, Lushnjës dhe Butrintit”. Bregdetarët kanë udhëtuar që dje drejt Gjirokastrës dhe objektivi I tyre është I qartë për këtë ndeshje: Të bëjnë më të mirën në fushë dhe pse jo të tentojnë të marrin pikë. Presidenti Pjetri  duke folur për ndeshjen e sotme, do thoshte: “Ndaj Luftëtarit do bëjmë lojën tonë. Nuk kemi mungesa në formacion dhe kjo është positive pasi stafi do ketë mundësi të hedhë në fushë formacionin më të mirë. Ne do bëjmë lojën tonë në këtë ndeshje dhe kuptohet që do mundohemi të marrim të paktën një barazim. Në Gjirokastër gjithmonë kemi dhuruar ndeshje të bukura dhe ky është një element që na ngroh. E kemi të qartë se përballë do kemi skuadrën kryesuese të këtij kampionati por kjo nuk na tremb. Ada do bëjë lojën e saj dhe të shpresojmë për të marrë pikë”. Trajneri që është duke drejtuar skuadrën gjatë këtyre ndeshjeve të fundit, Etrit Nika sigurisht që konsultohet me trajnerin e mëparshëm Samuel Nikaj sa I takon mënyrën së lojës dhe formacionit që do hedhë në fushë ngaqë ai e njeh më mirë se çdokush tjetër ekipi. Nikaj dha dorëheqjen pak ditë më parë nga ky post për arsye shëndetësore pikërisht sepse dje I është nënshtruar një operacioni, I cili I ka rezultuar me shume sukses.

Gjergj KOLA