Te Vllaznia po punojnë në heshtje për skuadrën e Conference League dhe sezonit të ri. Edhe pse duket sikur klubi nuk po lëviz gjatë kësaj kohe, duke pritur që të zgjidhet çështja e shumëpërfolur e kontratave me futbollistët titullarë të sezonit të fundit, e kundërta po ndodh.
“Shkodra Sport” mëson se ka një akord me dy-tre futbollistë të ndryshëm dhe pritet që së shpejti të bëhet edhe zyrtarizimi i tyre.
Ndërkohë, nga sa mund të kuptohet duke parë zhvillimet e fundit, skuadra e sezonit të ri do të jetë thuajse e njëjta. Ndryshimet pritet të jenë më të pakta nga sa mund të ishin menduar më parë. Për titullarët është e qartë se do të kërkohet të mbahen të gjithë.
Fokusi mund të jetë te futbollistë të kampionatit shqiptar. Lojtarë që me eksperiencën e tyre mund të ndihmojnë Vllazninë në Conference League apo edhe në sezonin e ri, ku në të dy këto kompeticione do të ketë mjaft konkurrencë.
“Shkodra Sport” mëson se klubi po punon edhe për merkaton, në heshtje, por për momentin nuk mund të flitet me emra konkretë.
Ndërkohë, fillimi i stërvitjes është planifikuar më 15 qershor. Megjithatë deri në atë ditë, vëmendja mbetet e gjitha te situata me titullarët dhe kontratat e tyre.
Maringlen ZHIVANI