Tjetër fitore për ekipin B të Vllaznisë. Në ndeshjen e vlefshme për javën e 12-të të kategorisë së dytë, ai ka mundur 4-2 ekipin e Vorës në ndeshjen e luajtur në “Reshit Rusi”. Ndeshja ka dhuruar shumë gola sepse është bërë një lojë e hapur nga të dy skuadrat. Madje, kanë qenë miqtë që kanë shënuar të parët por pa kaluar shumë minuta ka barazuar Arenc Dibra për Vllazninë B. Më pas, do të ishte Bekim Erkoçeviq që do të shënonte golin e avantazhit dhe pjesa e parë do të mbyllej në shifrat 2-1. Edhe e dyta do të dhuronte po kaq gola. Për shkodranët do të shënonte sërish Dibra ndërsa tjetri do kishte për autor Hallunajn.
Përfundimisht 4-2 për kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Kraja që me këtë trepikësh janë ngjitur në kuotën e 25 pikëve duke qenë në pozita komode në këtë vend ngaqë Tirana e vendit të tretë, që në fakt ka edhe një ndeshje më shumë, ndodhet në kuotën e 19 pikëve. Faza e parë e kampionatit mbyllet javën e ardhshme dhe Vllaznia B ka një transfertë të vështirë në Patos ndaj Albpetrolit dhe një tjetër fitore edhe atje, do t’i siguronte mbase përfundimisht vendin e dytë në renditje asaj.
© shkodrasport.com