Një rezultat i mirë mund të konsiderohet ai i arritur ditën e djeshme nga Vllaznia në Tiranë. Partizani dhe Vllaznia janë takuar dje në stadiumin “Qemal Stafa” në kuadër të raundit të dytë të Kupës së Shqipërisë, takim i cili është mbyllur në barazim 0-0. Terreni i papërshtatshëm nuk i lejonte ekipet të luanin. Të dyja skuadrat e donin suksesin në këtë përballje për objektiva të ndryshëm. Partizani e ka shprehur qartë se kupa mbetet objektiv primar, sepse edhe me anë të kësaj veprimtarie mund të realizohet përfaqësimi në Europë.
Ndërsa Vllaznia, e cila po zhvillon një sezon pa objektiva madhorë, kërkonte ta fitonte sfidën e djeshme në mënyrë që kuqeblutë të ndryshonin atmosferën negative të ardhur nga rezultatet e fundit në kampionat. Fundi nuk i ka kënaqur trajnerët, pasi çështja e kualifikimit mbetet e hapur dhe gjithçka do të vendoset pas dy javësh në “Loro Boriçi”. Pra, barazimi i bardhë i marrë dje në “Qemal Stafa” e lë të hapur kualifikimin, dhe shanset për të kaluar në turin tjetër të kupës janë 50% me 50%. Pa dyshim, nga ky takim i vakët i luajtur dje më shumë pritej nga Partizani, që vinte pas tri fitoreve radhazi në kampionat. Sa për shkodranët, ata e kërkonin kualifikimin vetëm për moral, pasi thuhet se për këtë vit objektiv konsiderohet qëndrimi në Superiore, gjë të cilën e deklaroi edhe trajneri Agim Canaj pas përfundimit të ndeshjes së parë.
Të dyja skuadrat e kishin vlerësuar takimin, pasi në fushë aktivizuan lojtarët më të mirë që kishin në dispozicion. Loja nisi e qetë dhe pa shumë histori. Terreni i amortizuar i stadiumit “Qemal Stafa” i detyronte ato që më shumë të bazoheshin te pasimi i gjatë, duke qenë se fusha nuk lejonte që topi të qarkullonte normalisht. Gjuajtja e parë u regjistrua në minutën e 10-të, kur Boci provoi nga një goditje standarde. Pas këtij rasti të kuqtë sikur u zgjuan, sepse nisën të krijonin raste për shënim me anë të Malos, Bordon, Hyshmerit e Mazrekajt. Në minutën e 16- të trajneri Canaj ishte i detyruar të një bënte zëvendësim, për shkak se Bushiç u dëmtua. Kësisoj, vendin e tij u zuri Dibra. Me gjithë rastet e paraqitura, Partizani tregoi se vuan shumë në finalizimin e aksioneve, e kjo sepse nuk tregohet i qetë në goditjen përfundimtare. Rreziku më i madh për portat respektive erdhi nga goditjet standarde, por portierët Hoxha e Vujadinoviç qenë të pamposhtur, ndonëse kjo më shumë për paaftësi të sulmuesve sesa për meritë të tyre. Pjesa e parë u mbyll me një gjuajtje të bukur të Mazrekajt.
Skuadrat e nisën pjesën e dytë me të njëjtët lojtarë. Në fakt, loja u duk se pati ritëm disi më të lartë se 45 minutat e para. Ndonëse skuadrat patën raste, ashtu si në pjesën e parë, edhe në vijim doli në pah finalizimi i dobët i lojtarëve të të dyja skuadrave. Në minutën e 52-të Hyshmeri kishte mundësi të përsëriste rastin e golit të fitores me Laçin, por si zakonisht elbasanasi nguroi të gjuante në herën e parë dhe më pas u dha mundësi kundërshtarëve që ta bllokonin. Edhe në këtë pjesë ekipet u munduan të befasonin me gjuajtjet standarde, të cilat në pjesën më të madhe të rasteve u mbyllën me topa që përfundonin jashtë kuadrateve të portave. Në minutën e 76-të në fushë pati tension, sepse gjyqtari Kreshnik Cjapi nuk lejoi avantazhin, kur Kruja dhe Dibra kishin mundësi të rrezikonin, por akordoi goditje të lirë dhe karton të verdhë për mbrojtësin e Partizanit që kreu faullin. Reaksioni i trajnerit Canaj e detyroi gjyqtarin që ta largonte nga pankina. Për rrjedhojë, në minutat e mbetura teknikut kuqeblu iu desh t’i jepte direktivat nga tribuna kryesore. Megjithatë gjërat nuk ndryshuan dhe në fund të 90 minutave është fiksuar rezultati 0-0. Gjithçka sa i takon kualifikimit do të vendoset më 18 dhjetor në “Loro Boriçi”.
PARTIZANI-VLLAZNIA 0-0
PARTIZANI: A. Hoxha, B.Krasniqi, Ibrahimi, Rrahmani, Murati, Hyshmeri, Demiri, Musta (Maliqi 77′), Mazrekaj, Malo (Buac 60′), Bordon. Trajner: Hasan Lika
VLLAZNIA: Vujadinoviç, Gocaj, Kraja, Semina, Boci (Shtubina 78′), Sykaj, Tafili, Bardulla (Belisha 70′), Kruja, Hajdari, Bushiç (Dibra 16′). Trajner: Agim Canaj
GJYQTARET: K. Cjapi, I. Tartari, O. Grabova (Fier)
KARTONË TË VERDHË: Murati/ Sykaj, Dibra, Bardulla