Boksi shkodran është në përgatitjet e fundit për pjesmarrjen në dy aktivitete shumë të rëndësishme ku do të marrë pjesë gjatë këtij muaji. Bëhet fjalë për kampionatin kombëtar të të rriturve dhe atë të 18 vjeçarëve. Ky i fundit do të zhvillohet pikërisht më datë 10 shtator në qytetin e Vlorës. Në të do të marrin pjesë ekipet më të mira të vendit dhe natyrisht që Vllaznia do të kërkojë fitoren e titullit kampion. Nga ana tjetër, vëmendja më e madhe është e përqendruar tek kampionati kombëtar i të rriturve që do të nisë më 25 shtator në qytetin e Tiranës.

Ekipi shkodran nën drejtimin e kryetrajnerit Zef Gjoni, ka kohë që ka nisur përgatitjet për këtë kampionat. Boksierët janë stërvitur për dy javë me rradhë në Velipojë fillimisht dhe më pas për dy javë të tjera në pikën turistike të Ramzës. Forma e tyre duket shumë e mirë dhe pas rikthimit në ekip edhe të Kristian Demës, tashmë Vllaznia është e plotësuar me numrin e duhur të sportistëve dhe objektivi padyshim që do të jetë fitimi i titullit të rradhës kampion. Ai do të jetë titulli i 19-të duke thyer çdo lloj rekordi në sportin shqiptar dhe jo vetëm tek boksi. Intensiteti me të cilin janë stërvitur boksierët gjatë kësaj periudhe pritet të japë frutet e veta në këto dy kampionate që do të zhvillohen gjatë këtij muaji ku Vllaznia do të jetë sërish në elitën e këtij sporti.

www.shkodrasport.com