Pas volejbollit edhe kampionatet e basketbollit do të nisin me vonesë në sezonin e ri. Kur mendohej që kampionati kombëtar I basketbollit për meshkuj ashtu edhe për femra, të nisnin në gjysmën e muajit shtator, Federata përkatëse ka vendosur që ato të nisin në fillimin e muajit tetor. Madje, edhe për këtë, ende nuk ka një datë të saktë. Shumë prej klubeve, ndër të cilët edhe Vllaznia, nuk kanë qenë dakord me një vendim të tillë. Megjithatë duket se ankesa e tyre nuk ka zënë vend sepse çdo gjë për këtë shtyrje duket e vendosur. Sikur të mos mjaftonte kjo gjë, është mësuar edhe fakti tjetër se Federata Shqiptare e Basketbollit ka vendosur të rrisë kuotën financiare të pjesmarrjes në kampionat për ekipet. Kështu, nga 1 milionë lekë të vjetra që ka qenë sezonin e kaluar, tashmë kjo kuotë ka shkuar në 1 milionë e gjysëm. Përveç kësaj janë rritur edhe disa tarifa të tjera dhe kjo e ka rritur edhe më shumë vështirësinë e klubeve të kampionatit tonë për pjesmarrjen në të. Madje, sipas lajmeve që qarkullojnë, dy prej ekipeve, ai I Universitetit Amerikan të Tiranës dhe Kamza basket, pikërisht për arsye financiare, rrezikojnë marrjen pjesë në kampionat. Vllaznia nga ana e saj ka më shumë vështirësi sepse do të marrë pjesë edhe në Ligën Ballkanike dhe shpenzimet për të do jenë shumë më të mëdha. Skuadra kampione në fuqi e vendit, do të kërkojë titullin kampion edhe sezonin e ri e për këtë pritet të sjellë në rradhët e saj edhe disa sportistë cilësorë.

www.shkodrasport.com