Noti në Shkodër ka qenë traditë edhe për vetë historinë e këtij qyteti të rrethuar nga të katër anët prej ujërave. Por vitet e fundit nuk ka ndodhur kështu. Për këtë arsye, Vllaznia në këtë sport, pavarësisht shumë përpjekjeve nuk ka arritur asnjëherë të kthehet në elitë. Edhe disa sportistë cilësorë shkodranë që janë në qarkulli, detyrohen të garojnë për ekipet e qyteteve të tjera. Ka ndodhur kështu edhe në kampionatin e fundit kombëtar të zhvilluar dje në Tiranë ku Rovena Marku dhe Noel Borshi janë shpallur kampione të vendit me të rriturat duke mos përfaqësuar ekipin e Vllaznisë por ato të Teuta Swimming dhe të ekipit privat Tornado.

Për këtë të fundit ka konkurruar disa herë kampionia e vendit Rovena Marku. Ajo është shpallur kampione e vendit në garat e 200  dhe 400 metra katërnotin. Ndërsa shkodrania tjetër e talentuar Noel Borshi që prej vitesh jeton në Itali me familjen e saj, ka konkurruar për Teuta Swimming duke u shpallur kampione e vendit në 400 me stil i lirë dhe në 100 metra flutur. Shkodra kësisoj e ka thënë fjalën e saj edhe në këtë kampionat pavarësisht se jo me emrin e Vllaznisë.
Gjergj KOLA